Nëse presidenti i parë i Maqedonisë është zgjedhur në kuvend, pse edhe tani mos ta zgjedhim në kuvend. Kështu u shpreh kryetari i ASH-së Arben Taravari në një intervistë për Zërin e Amerikës.
“Shihni, presidenti i parë në Maqedoni, nëse ju kujtohet vitet e 90-ta, 91-ta, nëse nuk gaboj, u zgjodh zoti Kiro Gligorov dhe u zgjodh për herë të parë nga Kuvendi. Unë mendoj se kompetencat e presidentit të shtetit janë të njëjta si në disa shtete fqinje. Shpesh dallojmë, i krahasojmë me Kosovën apo Shqipërinë që kanë një sistem të ngjashëm me tonin, një sistem parlamentar. Unë mendoj se shteti nuk ka nevojë për shpenzime, ai mund të zgjidhet përmes një kuvendi siç e bëmë për herë të parë dhe qëndrimi ynë është (sepse) ne nuk jemi sistem presidencial, por jemi demokraci parlamentare, mendoj se do të racionalizoj (me) një marrëveshje ndërmjet partive politike që përfaqësohen në parlament”, tha Arben Taravari – Kryetar i ASH-së.
Kërkesë të njëjtë kanë edhe nga BDI, të cilët sot përmes një kumtese kritikuan VMRO DPMNE-në, e cila është kundër kësaj ideje.
“BDI mendon se VMRO-DPMNE vazhdon që ta vlerësojë barazinë në shtet si shantazh. VMRO-DPMNE fatkeqësisht i hedh poshtë idetë progresive për shkak të mendimit konservativ për dominim etnik në shtetin e përbashkët”, thonë nga BDI.
Jo vetëm VMRO DPMNE, por edhe LSDM është kundër kësaj ideje.
“LSDM publikisht dhe qartë e tha qëndrimin e saj në lidhje me propozimin se kandidati për president duhet zgjedhur në zgjedhje. Kjo kërkesë nuk është diçka e re, e dëgjuam edhe në zgjedhjet në 2019 dhe 2020 dhe mendojmë se nuk duhet të kthehen prapa proceset demokratike. Ajo që është e rëndësishme, që duhet ta theksojmë është se kandidati i propozuar nga LSDM do të marrë përkrahjen e të gjitha komuniteteve etnike”, theksoi Darko Kaevski, LSDM.
Kundër kësaj ideje ka dale kandidati për president Maksim Dimitrievski. Sipas tij, mënyra e tillë e zgjedhjes së presidentit do të ketë implikime ndaj vetë funksionit president.
