Opozita hedh poshtë akuzat e kryeparlamentarit Talat Xhaferi se për shkak të bllokadave të tyre nuk po emërohen gjykatësit e ri në kushtetuese. Deputeti i Besës, Fadil Zendeli, thotë se seancën e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime mund ta thirre vetë kryeparlamentari Talat Xhaferi, por shton se Xhaferi këtë nuk e bën për shkak se nuk ka vullnet dhe për shkak se shumica parlamentare ik nga përgjegjësia që të debatojë për çështje me interes shtetëror.
“Nuk ka ndonjë pengesë që ai t’i thirre këto seanca, por pse nuk e thirre seancën, pyetni atë. Nuk bëhet fjalë për obstruksione nga ndonjë parti politike ose nga ndonjë anëtarë i këtij Komisioni. 04.32-44 Edhe njëherë e përsërisë nuk ka asnjë pengesë nga ana jonë, thjeshtë duhet të thirret Komisioni dhe t’i shohim kandidatët që aplikojnë që të jenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Zendeli.
Edhe deputetja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska- Davkova thotë se faji nuk është i opozitës por brenda shumicës parlamentare dhe në këtë rast Kuvendi po bllokon funksionalitetin e një organi shtetëror siç është gjykata Kushtetuese.
“Nuk besoj se opozitës i konvenon që të bllokoj. Kur largohet dikush nga pushteti, duhet përsëri nga shumica të jetë kryetari. Ose është në pyetje pazari politik ose ka diçka mosmarrëveshje, për ndryshe sot mund të funksionoje ky komision si çdo komision tjetër”, tha Siljanovska – Davkova.
Nga pushteti insistojnë se punën e Komisionit e bllokon opozita, ndërsa shtojnë se nuk është problem vetëm kryetari i Komisionit, por se Komisionit i mungon edhe një anëtarë.
“Unë besoj se përfundimisht do të gjendet zgjidhje dhe opozita e cila gjatë gjithë kohës deklarohet se bazike është sundimi i së drejtës, do ta tejkaloje vetën dhe do të lejoj të funksionojë Komisioni dhe të ketë zgjedhje të rregullt të gjykatësve kushtetues”, tha Snezhana Kaleska – Vançeva, deputete e LSDM-së.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska, dje dërgoi letër deri te kryeparlamentari Xhaferi ku u ankua se për shkak të mungesës së gjykatësve po pengohet puna dhe funksionimi pa pengesa i Gjykatës Kushtetuese. Në letër thuhet se janë bllokuar 16 lëndë për shkak se nuk ka shumicë të mjaftueshëm të gjykatësve.
Ndryshe, Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime ka mbetur pa kryetar që kur Kostadin Kostadinov u zgjodh kryetar i Strumicës.
