Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska sot do të qëndrojë në kryeqytetin finlandez Helsinki, ku do të marrë pjesë në Takimin Ministror të organizatës për Bashkëpunim Nordik në Mbrojtje (NORDEFKO), si dhe në Forumin Hapësinor Arktik të Aleancës.
NORDEFKO është organizatë rajonale për bashkëpunim ndërmjet vendeve nordike në sferën e mbrojtjes, anëtare e të cilës janë Danimarka, Islanda, Norvegjia, Finlanda dhe Suedia.
Siç bëri të ditur NATO, përveç pjesëmarrjes në dy forume, Shekerinska do të takohet edhe me ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes së Finlandës, Elina Valtonen dhe Anti Hakanen, si dhe me funksionarë të tjerë të lartë.
Është paraparë që Shekerinska ta vizitojë strehimoren civile “Merihaka” në Helsinki, e cila është e dizajnuar për strehim të 6.000 njerëzve në kushte të situatës së jashtëzakonshme.
Strehimorja, e cila është ndërtuar në vitin 2003, përfaqëson kompleks bashkëkohor nëntokësor, i cili për momentin shfrytëzohet për qëllime civile si hapësirë parkimi dhe aktivitete sportive. Në kushte të krizës, strehimorja mund të përshtatet shpejtë që të sigurohet mbrojtje nga shpërthimet dhe të ofrojë mjedis të mbyllur hermetik të përshtatshëm për jetë.
