Pak para tubimit të BDI-së në Çegran të Gostivarit, deputeti i kësaj zone nga radhët e Lëvizjes Besa Fadil Zendeli, reagoi përmes një statusi në facebook.
“Një pyetje për z. Ali Ahmeti ? Për 20 vite qeverisje të BDI-së, a mund të identifikoni një projekt që keni realizuar në territorin e Komunës së Gostivarit dhe që ka rëndësi për qytetarët dhe shqiptarët e Gostivarit ? Nuk ka projekte të tilla z. Ahmeti !!!???”, tha Fadil Zendeli – deputet i Besës.
E për këtë pyetje Zendeli përgjigjen e mori nga Talat Xhaferi, gjithashtu deputet i kësaj zone.
“More Fadil Zendeli, deputeti i Besës. Ish-ushtari im në brigadën 16. A se ke të qartë se projekti kryesor i Ali Ahmetit është qendra e Gostivarit, e cila ishte qendra e vjedhjes dhe drogirashve në Gostivar që sot nuk është. Në 2005, sepse për vendimet që i patë sjellë BDI-ja, Ali Ahmeti të zbatume nga ish-kryetari i Komunës Nevzat Bejta unë nuk e mohoj, qendra e Gostivarit u bë qendra e qytetit dhe qyteti u shndërrua në qytet atëherë. Por, jo që e bëri një njeri qoftë Nevzat Bejta apo Talat Xhaferi, atë e bëri BDI”, deklaroi Talat Xhaferi, BDI .
Ndryshe, me komunën e Gostivarit, Bashkimi Demokratik për Integrim, respektivisht Nevzat Bejta nga radhët e kësaj partie ka qeverisur gjatë periudhës 2005-2009 dhe 2013-2017. Në vitin 2017 BDI i humbi zgjedhjet nga Aleanca për Shqiptarët, ndërsa njëjtë edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2021 Nevzat Bejta nuk fitoi besimin e qytetarëve duke humbur sërish nga po e njëjta parti e përfaqësuar nga Arben Taravari.
