Zelensky: Që nga fillimi i shtatorit, 6000 km katrorë të Ukrainës janë çliruar

TË FUNDIT

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se forcat ukrainase kanë rimarrë 6,000 kilometra katrorë tokë në lindje dhe jug të vendit që nga fillimi i muajit, ndërsa ai bëri thirrje për presion më të madh ndërkombëtar për të izoluar Rusinë.

Sipas analistëve, kjo do të ishte gati 10% e territorit të humbur nga ofensiva ruse që nga fillimi i luftës në shkurt, transmeton tv21.tv.

Në video-mesazhin e tij të përditshëm, Zelensky pyeti gjithashtu “Pse [Rusia] mund të bëjë luftë kaq mizore dhe cinike? Ka vetëm një arsye: presioni i pamjaftueshëm ndaj Rusisë. Përgjigja ndaj terrorit të këtij shteti është e pamjaftueshme.”

Një përgjigje, tha ai, ishte “rritja e ndihmës për Ukrainën dhe mbi të gjitha përshpejtimi i ofrimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore”.

“Nuk ka ende një njohje zyrtare të Rusisë si një shtet sponsorizues i terrorizmit. Qytetarët e shtetit terrorist mund të shkojnë ende në Evropë për të pushuar dhe për të bërë pazar, ata ende mund të marrin viza evropiane dhe askush nuk e di nëse ka ekzekutues apo vrasës mes tyre. ata që sapo janë kthyer nga territori i okupuar i Ukrainës”, tha Zelensky.

Disa vende evropiane kanë miratuar ndalimin e vizave turistike për rusët.

Zelensky tha se Rusia ishte fajtore për “terrorin energjetik. Banorët e shumë vendeve në mbarë botën po vuajnë për shkak të rritjes së dhimbshme të çmimeve për burimet e energjisë — për energjinë elektrike, për ngrohjen. Rusia e bën këtë qëllimisht. Ajo qëllimisht destabilizon tregun e gazit në Evropë”.

Presidenti i përshkroi sulmet ndaj furnizimeve me energji elektrike të Ukrainës si “një shenjë e dëshpërimit të atyre që shpikën këtë luftë. Kështu reagojnë ata ndaj disfatës së forcave ruse në rajonin e Kharkiv”./21Media