Zelensky në pozitë të vështirë, draft-propozimi amerikan për paqe kërkon lëshime të mëdha nga Ukraina

TË FUNDIT

Shtetet e Bashkuara i kanë sinjalizuar presidentit Volodymyr Zelensky se Ukraina duhet të pranojë një plan të hartuar nga SHBA-të për përfundimin e luftës me Rusinë, i cili parashikon që Kievi të heqë dorë nga disa territore dhe disa armë, thanë të mërkurën dy burime të njohura me çështjen.

Reuters shkruan se propozimet përfshijnë edhe reduktimin e madhësisë së forcave të armatosura të Ukrainës, ndër elementë të tjerë. Sipas tyre, Uashingtoni kërkon që Kievi të pranojë pikat kryesore të planit.

Një plan i tillë do të përbënte një goditje të madhe për Ukrainën, e cila përballet me fitore territoriale të mëtejshme nga Rusia në lindje të vendit, ndërsa Zelensky po përballet gjithashtu me një skandal korrupsioni që solli shkarkimin e ministrave të Energjisë dhe Drejtësisë nga parlamenti të mërkurën.

Një zyrtar i lartë ukrainas tha më parë për Reuters se Kievi kishte marrë “sinjale” për një set propozimesh amerikane për përfundimin e luftës, të cilat Uashingtoni i ka diskutuar me Moskën. Ukraina nuk ka pasur rol në përgatitjen e këtyre propozimeve, sipas burimit.

Zelensky, i cili po zhvillonte bisedime në Turqi me presidentin Erdogan të mërkurën, pritet të takojë zyrtarë të ushtrisë amerikane në Kiev të enjten.

Sinjalet për një nismë të re të udhëhequr nga SHBA-të për përfundimin e luftës sollën rritjen më të madhe në muajt e fundit të çmimeve të bono-ve qeveritare ukrainase.

Që nga takimi në Stamboll në korrik, nuk janë zhvilluar bisedime ballë për ballë midis Kievit dhe Moskës, dhe forcat ruse kanë vazhduar luftën pothuajse katërvjeçare, duke vrarë 25 persona në sulme gjatë natës.

Përpjekjet për të rifilluar negociatat e paqes duket se po marrin hov, megjithatë Moska nuk ka treguar shenja për të ndryshuar kushtet e saj për përfundimin e luftës.

Presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar prej kohësh që Kievi të heqë dorë nga planet për t’iu bashkuar aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA-NATO dhe të tërheqë trupat nga katër provinca që Moska i pretendon si pjesë të Rusisë. Moska nuk ka dhënë asnjë shenjë se ka hequr dorë nga këto kërkesa, ndërsa Ukraina thotë se nuk do t’i pranojë ato.