Zelenski: Ukraina do të porosisë 27 sisteme Patriot nga SHBA-ja

TË FUNDIT

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka njoftuar se Kievi planifikon të porosisë 27 sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot nga prodhuesit amerikanë, me qëllim forcimin e mbrojtjes së vendit.

Në një intervistë për “The Guardian”, Zelensky theksoi se edhe vendet evropiane mund t’i dërgojnë Kievit sistemet Patriot që tashmë i zotërojnë.

Ai akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se po urdhëron “sulme terroriste” ndaj sistemit energjetik të Ukrainës, sulme në të cilat po vriten civilë dhe qytetarët po mbeten pa energji elektrike dhe pa ujë.

“Ai nuk mund të krijojë tension në shoqërinë tonë në asnjë mënyrë tjetër”, u shpreh Zelensky.

I pyetur nëse Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar po bëjnë mjaftueshëm për të ndihmuar Ukrainën para dimrit, Zelensky tha se “kurrë nuk është mjaft” dhe se ndihma do të jetë e mjaftueshme vetëm kur të çojë në përfundimin e luftës.

Ai gjithashtu theksoi se vendimi për të vendosur trupa të BE-së në Ukrainë është përgjegjësi e vetë vendeve anëtare, duke paralajmëruar se nëse Kievi ngul këmbë shumë, mund të rrezikojë humbjen e “mbështetjes financiare dhe ushtarake” nga partnerët ndërkombëtarë.