Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski deklaroi mbrëmë se Rusia nuk ka për qëllim ta përfundojë luftën dhe se Kievi po përgatitet për sulme të reja.
Zelenski i bëri këto komente ndërsa armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA, i lidhur me përvjetorin e 81-të të fitores së Rusisë ndaj Gjermanisë naziste, po i afrohej fundit.
“Gjatë ditës së sotme nuk ka pasur qetësi në vijën e frontit. Rusia nuk ka qëllim ta përfundojë këtë luftë dhe, për fat të keq, ne po përgatitemi për sulme të reja”, tha Zelenski në adresimin e tij të rregullt video drejtuar kombit.
Të dyja palët kanë raportuar luftime përgjatë gjithë vijës së frontit, pavarësisht armëpushimit, duke u akuzuar reciprokisht për sulme me dronë dhe artileri.
Ukraina dhe Rusia kishin rënë dakord të premten për një armëpushim nga 9 deri më 11 maj, si pjesë e përpjekjeve amerikane për paqe, pas më shumë se katër vitesh luftë të nisur nga pushtimi rus në vitin 2022. Presidenti amerikan, Donald Trump kishte thënë se shpresonte që armëpushimi të zgjatej, por tashmë janë shfaqur shenja tensionesh.
Pas shënimit të Ditës së Fitores, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të shtunën se beson që lufta po i afrohet fundit. Ai tha gjithashtu se është i gatshëm të negociojë për aranzhime të reja të sigurisë në Evropë, duke përmendur ish-kancelarin gjerman Gerhard Shroder si partner të preferuar.
Megjithatë, ministrat e jashtëm evropianë, të mbledhur në Bruksel, e hodhën poshtë këtë propozim, duke theksuar lidhjet e ngushta të Shroderit me kompanitë shtetërore ruse dhe marrëdhëniet e tij me Putinin.
