Zelenski me fjalim onlajn e hap Forumin e sivjetmë ekonomik botëror

TË FUNDIT

Lufta në Ukrainë, pandemia e koronavirusit dhe ndryshimet klimatike janë tema boshte në Forumin e sivjetmë botëror që prej nesër deri të enjten do të mbahet në Davos, njofton DPA.

Mes tjerash në forumin e liderëve botëror, biznesmenët, politikanët dhe analistët do të flasin edhe për pasojat e luftës mbi zinxhirin e furnizimit, furnizimin me energji dhe sigurinë e ushqimit.

Fjalimi i parë këtë vit i është lëshuar presidentit ukrainas Volodimir Zelenski edhe pse ai do të realizohet onlajn. Më vonë si mysafirë të forumit pritet të kenë paraqitje edhe kryebashkiaku i Kievit, Vitalij Kliçko dhe vëllai i tij Vlladimir.

Nesër paradite pritet të flasë edhe ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habek i cili në panel do të shpjegojë se si Gjermania të bëhet më pak e varur nga energjia ruse, transmeton DPA.

Kancelari gjerman Olaf Sholc fjalimin në Davos duhet të mbajë të enjten.

Në takimin katërditor në Alpet zvicerane mbi problemet ndërkombëtare do të diskutojnë rreth 2.500 pjesëmarrës nga politika, biznesi dhe shoqëria.

Motoja e takimit të sivjetmë është “Historia në pikën kthesë: politika qeveritare dhe strategjia biznesore”.