Presidenti Volodymyr Zelensky thotë Ukraina nuk mund të “pranonte asnjë ultimatum nga Rusia” pasi Moska ka thënë se do t’iu mundësojë banorëve të Mariupolit që të ikin, nëse Ukraina dorëzon qytetin. Zelenski kërkon një takim “në çfarëdo forme” me presidentin rus Vladimir Putin për “të ndalur luftën” në Ukrainë.
“Unë besoj se pa këtë takim është e pamundur të kuptohet plotësisht se çfarë rusët janë të gatshëm të bëjnë për të ndaluar luftën – pa negociata lufta nuk do të ndalet”, tha Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës.
Zelenski po ashtu ka deklaruar se është i gatshëm që të negociojë për tërheqje nga hyrja e Ukrainës në NATO nëse Rusia pajtohet që të ketë armëpushim, tërheqje të forcave ruse dhe garanci të sigurisë në Ukrainë.
Ushtria ukrainase ka thënë se forcat ruse në 24 orët e fundit kanë “rritur prezencën e aeroplanëve në hapësirën ajrore të Ukrainës”. Në përditësimin e fundit, Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka thënë se forcat ruse kanë rezerva të municionit dhe ushqimit që “nuk zgjasin më shumë se tri ditë”.
Ekipet e shpëtimit në Ukrainë janë duke luftuar për të shuar zjarret dhe për të pastruar rrënojat pas shkatërrimit të banesave në disa qytete të mëdha, ka thënë Shërbimi Shtetëror i Emergjencës në Ukrainë. Thonë se gati 1,000 ndërtesa janë shkatërruar si pasojë e bombardimeve ruse në qytetin Harkiv. Shumica prej tyre kanë qenë ndërtesa banimi. Puna për kërkim dhe pastrim është duke u kryer edhe në Kiev. Ekipet kanë luftuar me zjarret edhe në ndërtesa private dhe objekte tjera të bombarduara nga forcat ruse.
Diplomati ukrainas, Olexander Scherba ngrit dyshimet se forcat ruse po përdorin fosfor gjatë sulmeve të vazhdueshme në Ukrainë. Ai ka publikuar një video që thotë se paraprakisht është shpërndarë nga policia e Kievit, ku shihet se pas gërmimit të asfaltit me lopatë, asfalti nis të digjet.
Oleksij Arestoviç, këshilltar i presidentit ukrainas sot deklaroi se marrja e kontrollit ndaj Kievit ende është prioritet i dukshëm për Rusinë, por tentimi që të bëhet kjo, do të ishte “vetëvrasje” për Moskën.
Kryetari i Borispilit, Volodymyr Borysenko, qytet afër Aeroportit Ndërkombëtar të Borispilit, u ka thënë banorëve që të evakuohen nga qyteti, teksa afrohen forcat ruse.
“Nuk ka nevojë që të qëndroni në qytet pasi ka luftime në zonat përreth. U bëj thirrje civilëve që të jenë të mençur, të thërrasin qendrat e thirrjeve dhe të largohen sa më shpejt”, tha Volodymyr Borysenko, kryetari i Borispilit.
Ministria ukrainase e Mbrojtjes në përditësimin e saj të fundit ka thënë rreth 15,300 trupa ruse janë vrarë prej nisjes së luftës në Ukrainë dhe se ushtria ruse është përballur me humbje edhe për shkak të shkatërrimit të 509 tankeve, mbi 1,500 pajisjeve luftarake dhe 252 sistemeve të artilerisë. Pas disa ditësh luftime, Ukraina pretendon se ka rikthyer kontrollin e Makarivit, qytezë rreth 50 kilometra në perëndim të Kievit, kanë thënë Forcat e Armatosura të Ukrainës përmes një postimi në Facebook.
Ambasada amerikane në Kiev, ka thënë se, sipas Ministrisë së Jashtme ukrainase, forcat ruse kanë dërguar 2,389 fëmijë ukrainas nga rajonet Donjeck dhe Luhansk për në Rusi. “Kjo nuk është ndihmë. Ky është kidnapim”, ka thënë Ambasada.
Agjencia për refugjatë pranë KB-së sot ka njoftuar se më shumë se 3.5 milionë refugjatë deri tani janë larguar nga Ukraina për shkak të invazionit rus. Më shumë se dy milionë prej tyre strehim kanë kërkuar në shtetin fqinj, Poloni, qëndron në kumtesë.
