Zejtarët e Çarshisë në hall, “krizë më të madhe nuk kemi pasur”

TË FUNDIT

“Ndonjë herë ka pas krizë ndonjëherë jo, ama sikur këto dy muajt e fundit  që na ka kapluar mendoj se krizë më të madhe nuk ka pasur. Punë nuk ka pasur hiq, kemi ardhur në dyqan dhe kemi bërë muhabet sa me kaluar kohën. Vinim nga ora 10 dhe deri në ora 13-14 edhe shkonim në shtëpi”, tha Bilall Abdullahu, rrobaqepës.

Bilall Abdullahu prej kur kishte 11 vjet punon si rrobaqepës. Thotë se një krizë të këtillë ekonomike që e ka shkaktuar Covid 19 nuk e mban mend të ketë ndodhur ndonjëherë.

Bilall Abdullahu, rrobaqepës:

“Këtu kamë pasur 11 vjet kamë qenë klasa e gjashtë.

TV21: Ishe duke e marr zanatin?

Bilall Abdullahu: Po po pata hy atëherë i vogël isha, ja këtu jam mandej shkova në shkollën e mesme të tekstilit”.

Ai thotë se nuk ka hyrë askush në dyqan për të blerë prej dy muajsh, por vetëm ndonjëri që ka pasur diçka me urgjencë.

Ai pret nga shteti që tu lëshohen paratë e premtuara nga 14,500 denarë.

Sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi pati takim me zejtarët.

Kryetari i zejtarëve Agron Fazliji kërkoi nga ministri që zejtaret të ndihmohen meqenëse nuk po munden ta përballojnë krizën ekonomike.

“Momentalisht nuk ka pasur mbyllje të dyqaneve, por shumica prej tyre prej tre muaj nuk kanë pasur asnjë përfitim. Duke u bazuar prej kësaj në kërkesat tona i kemi kërkuar nga ministri dhe ishin të pranuara”, tha Agron Fazliji, kryetar i zejtarëve.

Me tej shtoi se disa prej zejtarëve kanë nguruar që të aplikojnë për marrje të pagës minimale nga shteti duke menduar se do të duhet të kthehet ajo pagë.

Ministri Bekteshi tha se nuk janë shkurtuar mjetet për zejtarët.

“Ministria e Ekonomisë në vitin 2020 në kuadër të buxhetit për inovacion, sipërmarrësi, nuk i ka shkurtuar mjetet për përkrahje të zejtarisë. Një pjesë e konsiderueshme e masave më vetëm se është realizuar. Sa i përket ndihmës për zejtarët një pjesë e masave është duke u realizuar për momentin”, tha Kreshnik Bekteshi.

Rrobaqepësi Billal Abdullahu thotë se shteti nuk i ka ndihmuar për asgjë, ndërsa druan se zanatin e tij nuk do të ketë kush ta trashëgoj.

“Shteti nuk na ndihmon për asgjë, këtu ka pasur shumë rrobaqepës shumë zanatçi por vdiqën zanatet nuk ka të ri që e duan zanatin. E dinë se nuk ka ardhmëri prej kësaj”, tha Billal Abdullahu Rrobaqepës.