Zbutet retorika e partive politike? Zgjedhje më 5 korrik nëse kushtet e mundësojnë

TË FUNDIT

Sa është e mundshme të ketë zgjedhje më 5 korrik, kur numri i të infektuarve me COVID-19 është gjithnjë në rritje?  BDI e mbështet këtë datë për zgjedhje, por Blerim Bexheti nga kjo parti mbrëmë në ClickPlus tha se në këtë afat do të ketë zgjedhje nëse plotësohen kushtet, pa rrezikuar shëndetin.

“Nëse vlerësimi i Komisionit do të jetë se mund të mbahen, për ne është e pranueshme që të ketë zgjedhje, por përherë e them, përparësi i jepet shëndetit të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, tha Blerim Bexheti, BDI.

Partnerët Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa si datë kanë propozuar 19 ose 26 korrikun. Arben Taravari nga ASH pohon se këtë verë duhet të ketë zgjedhje, por jo nëse numri i të infektuarve është i lartë.

“Për të thënë se situata është stabile na duhen minimum 14 ditë që prej numrit të përgjithshëm të të testuarve, pozitiv të jenë nën 5%. Në qoftë se e kemi këtë situatë, e bisedojmë dhe shkojmë në zgjedhje. Nëse nuk e kemi këtë situatë, mendoj se është e pamoralshme të organizohen zgjedhje dhe të ketë dalshmëri shumë të vogël të njerëzve. Nuk do të jetë legjitime cilado parti që t’i fitojë ato zgjedhje”, tha Arben Taravari, ASH.

I pyetur konkretisht për 5 korrikun si datë, nëse plotësohen kushtet që Taravari i përmend, ai tha se janë të hapur të bisedojnë edhe për këtë datë, me qëllim arritjen e konsensusit.

Kujtojmë se deri më tani opozitarja VMRO-DPMNE e ka kundërshtuar fort mbajtjen e zgjedhjeve më 5 korrik, duke vlerësuar se gjendja me koronavirusin është alarmante. Nga ana tjetër LSDM e ka dhënë 5 korrikun si datën e fundit për mbajtjen e zgjedhjeve, se shtetit i duhen institucione funksionale, ndërsa kanë shtuar se në vjeshtë gjendja mund të përkeqësohet edhe më shumë.

Ditë më parë zëdhënësi i BDI tha për TV21 tha se 5 korriku është data e vetme për zgjedhje në këtë verë, e nëse nuk mbahen më datë 5, mbeten për në vjeshtë.