Zaharieva: Nuk mundemi të themi “po”! Heshtje nga pushteti maqedonas për veton e Bullgarisë

TË FUNDIT

Krerët e Bullgarisë këto ditë për mediat bullgare çdo ditë e konfirmojnë qëndrimin se ata do ta pengojnë Maqedoninë në rrugën për fillim të negociatave me BE-në. Edhe në intervistën e sotme, ministrja e punëve të jashtme Ekaterina Zaharieva u shpreh kategorike se Bullgaria nuk mund t’i tregojë PO Maqedonisë dhe se përkrahja e tyre nuk është e pakushtueshme.


“Bullgaria nuk është në gjendje që ta lejojë kornizën negociuese për RMV-në. Po, është mirë që u nënshkrua një marrëveshje, por ajo duhet të realizohet. Edhe krahas spekulimeve, ne nuk kemi asnjë pretendim në lidhje me përcaktimin e qytetarëve të saj dhe për gjuhën e tyre. Por nga ana tjetër ata nuk mund të kenë pretendime ndaj qytetarëve bullgarë se si ata do të përcaktohen në lidhje me atë gjuhë”, deklaroi Ekaterina Zaharieva – Ministre e Punëve të Jashtme e Bullgarisë.

Zaharieva shton se edhe mospranimi i së vërtetës historike çon deri te probleme serioze në raportet mes të dyja vendeve. Në pyetjen-  nëse Bullgaria do të lëshojë pe pas presionit nga vendet evropiane, sidomos nga Gjermania, ajo ishte decide se kjo nuk do të ndodhë.


“Po, biseduam me kancelaren Merkel dhe ia përcolla qëndrimin tonë. Vazhdimisht jemi në kontakt me ta dhe i tregova se nuk është bërë mjaftueshëm që të themi “po”, theksoi Ekaterina Zaharieva – Ministre e Punëve të Jashtme e Bullgarisë.

Kërkuam qëndrim edhe nga shefi i diplomacisë sonë, Bujar Osmani, lidhur me atë që zyrtarët bullgarë janë të prerë në pozicionet e tyre, por ai edhe sot refuzoi të përgjigjet për temën me Bullgarinë. Në opinionin publik nuk doli as ai, e as Dimitrovi pas takimit me Zaharievën në Berlin. Sot, vetëm publikoi kumtesë të shkurtër pas video-konferencës së kushtuar Ballkanit Perëndimor, në të cilën Osmani ka folur për procesin e aderimit në BE.


“Dëshiroj që fqinjët tanë të jenë motor, e jo frenues të procesit tonë eurointegrues dhe bashkërisht t’i gëzojmë përfitimet nga transformimi politik, ekonomik dhe social i rajonit. Vendet e Ballkanit i takojnë familjes evropiane”, potencoi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme. 

Takimi i Këshillit të Ministrave në të cilin duhet të përcaktohet korniza negociuese, duhet të mbahet për 5 ditë, kurse Konferenca e parë Ndërqeveritare është planifikuar për në dhjetor.