Vetëm bullgarët në librat shkollore në Maqedoni janë prezantuar si popull fashist dhe këtu qëndron problemi. Ministrja e jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva në intervistë për emisionin “Kontrakometar” të bllogerit Asen Genov, thotë se nëse bullgarët janë fashistë, atëherë fashistë janë edhe italianët edhe shqiptarët, për shkak se siç thotë ajo, edhe ata i kanë ndihmuar Gjermanisë. Zaharieva shtoi se Bullgaria si anëtare e BE-së vazhdon që ta përkrahë perspektivën evropiane për vendet e Ballkanit perëndimor, megjithatë nuk mund ta durojnë atë që po ndodh në Shkup.
“Unë nuk mendoj se populli bullgar është fashist. Kjo nuk është e vërtetë. Atëherë edhe italianët edhe shqiptarët gjithashtu duhet të quhen fashistë, për shkak se edhe ata ishin aleatë të Gjermanisë në atë moment historik. I vetmi popull që quhet fashist është populli bullgar”, tha Zaharieva.
Deklarata e fundit e cila shkaktoi reagime të ashpra në Bullgari është ajo e kryeministrit Zaev i cili me rastin e festës serbe Shën Sava paralajmëroi se nëpër shkollat do të mësohet gjuha serbe dhe do të hapet Qendër e kulturës së serbëve.
“Qeveria bullgare nuk reagoi zyrtarisht në lidhje me mësimin e gjuhës serbe në RMV për shkak se kjo është çështje e brendshme, ne nuk mundemi të përzihemi për vendosjen e gjuhës serbe dhe hapjen e qendrës së kulturës së tyre. Vetëm duam të ketë edhe qendër të kulturës bullgare”, shtoi Zaharieva.
Sipas Zaharievës, Bullgaria kërkon nga komisioni i përzier për çështjet historike dhe arsimore, vetëm të fshihen siç thotë ajo, gënjeshtrat nga librat shkollore por edhe tekstet që përhapin urrejtje ndaj popullit bullgar. Negociatat e këtij komisioni ngecën , përkatësisht nuk ka asnjë progres. Problematikë janë disa personalitete historike ndër të cilët Goce Dellçevi, ndërsa për Bullgarinë është problem edhe termini “maqedonas” si dhe gjuha maqedonase. Nga pala maqedonase, zyrtarët disa herë porositën se pa dallim prej çmimit, linja e kuqe është gjuha dhe identiteti dhe për to nuk do të negociohet.
