Në Gostivar do të shpallet epidemi, Koçinski: Nivel i lartë i të sëmurëve, deri tani janë lajmëruar 140 persona

TË FUNDIT

Instituti për Shëndetësi Publike njoftoi se do të shpallet epidemi e sëmundjes ngjitëse në territorin e komunës së Gostivarit. Ky është vendimi për shkak të tejkalimit të pragut të personave me simptoma të gastroenterokolitit në këtë komunë, përmes sistemit Alert. Dragan Koçinski, udhëheqës i Departamentit për Epidemiologji të Sëmundjeve Ngjitëse në IShP, tha se deri tani janë dorëzuar 140 lajmërime zyrtare për sëmundje ngjitëse, ndërsa epidemiologët e Gostivarit dhe të Institutit për Shëndetësi Publike ende po i anketojnë personat e sëmurë.

“Është tejkaluar pragu në nivel javor, kjo duhet të theksohet se problemi me numrin e të infektuarve është gjatë kësaj jave. Ajo që është me rëndësi kur flasim për lajmërimin e një epidemie, sipas definicionit që gjendet edhe në ligj, është se bëhet fjalë për një rritje jo të zakonshme në krahasim me të njëjtën periudhë të viteve paraprake. Ajo që duhet ta them është se duhet të merret parasysh se për të lajmëruar një epidemi duhet të ketë edhe lajmërime zyrtare për sëmundje ngjitëse të dorëzuara te shërbimi epidemiologjik – deri në këtë periudhë janë 140”, tha Dragan Koçinski

Me kërkesë të Prokurorisë Publike Themelore të Gostivarit, janë marrë mostra për cilësinë e ujit nga ujësjellësi i Gostivarit dhe janë kryer analiza. Rezultatet e këtyre analizave do t’i dorëzohen deri nesër Prokurorisë së Gostivarit, e cila e udhëheq rastin. Sipas Koçinskit, ekipet profesionale kanë punuar vazhdimisht këto ditë që analizat të përfundojnë në kohë.

“Instituti për Shëndetësi Publike menjëherë doli në terren, në lokacionet e caktuara, dhe mori mostra për analiza mikrobiologjike, si dhe fizike e kimike të ujit. Pas kthimit të ekipit në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, menjëherë filloi procedura për analizimin e mostrave. Duhet të bëj edhe një apel te popullata e Gostivarit që të bashkëpunojë me personat që i kontaktojnë për anketim epidemiologjik dhe t’i dëgjojnë rekomandimet e punonjësve shëndetësorë përsa i përket dhënies së mostrave për ekzaminim mikrobiologjik”, deklaroi Dragan Koçinski

Nga Instituti për Shëndetësi Publike thonë se do të vazhdohet me analizat deri në konstatimin e plotë të shkaqeve të ndotjes së ujit të pijshëm. Agjencia për Ushqim dhe Veterinari të premten lëshoi ndalesë për përdorimin e ujit të pijshëm nga ujësjellësi i qytetit të Gostivarit. Qytetarëve u rekomandohet t’u përmbahen masave deri në lejimin zyrtar të përsëritur për përdorimin e ujit të pijshëm.