Zaevi i hypi i pari “fshesës” së Angjushevit! “Të eksportojmë produkte, e jo fëmijë”

TË FUNDIT

Siç duket kryeministri nuk di të manovrojë me “fshesat”. Para disa vitesh paralajmëronte “fshesë” në Qeveri, por ajo e “kapi” vetëm ish-ministrin e Financave, Tevdovskin. Sot, para gazetarëve e voziti automjetin për pastrim të kompanisë “Brako”, pronari i së cilës është ish-zëvendëskryeministri Koço Angjushev. Por, fshirëset e makinës nuk i ndezi edhe pse paraprakisht mori instruksione të qarta.

Por, si pastron kjo fshesë do të mësojë oborri i Pallatit Mbretëror në Londër, oborri i Shtëpisë së Bardhë në Uashington, rrugët në Holandë, Australi, Tajlandë, Buenos Aires, Belgjikë… Së shpejti edhe rrugët e Parisit do të pastrohen me makinat ekologjike me hidrogjen që janë në pronësi të firmës nga Velesi “Brako”. Këto makina prodhohen dhe montohen në këtë fabrikë.


“Kjo është zhvilluar dhe prodhuar në sallat që janë prapa nesh dhe është punë e inxhinierëve të “Brako-s”, që janë 60 në numër dhe mosha mesatare e të cilëve është nën 30 vjeçare. 3 prej tyre kanë studiuar në universitete botërore dhe janë kthyer për të punuar këtu”, deklaroi Koço Angjushev – pronar i kompanisë “Brako”.

Ish-zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Angjushev, na rikujtoi për mënyrën e zhvillimit të industrisë dhe eksportit të produkteve, duke shtuar se – më mirë të eksportojmë produkte, e jo fëmijë…

 “Mënyra e vetme për zhvillimin e industrisë është prodhimi i produkteve me vlerë të shtuar më të madhe. Ato produkte të jenë të orientuara drejt eksportit, të jenë për të gjithë botën dhe të jenë konkurruese. Kjo është e vetmja mënyrë për rritjen e ekonomisë dhe industrisë”, shtoi Angjushev.

Sipas Angjushevit, rrugëdalja nga kjo krizë është në investimin agresiv, duke ndjekur teknologjitë më të reja në botë dhe duke blerë makineri të reja. “Brako” vitin e kaluar ka investuar 8 milionë euro në këto makineri për rindërtimin e sallave të vjetra dhe teknologjinë e re.