Zaev për TV21: Në Sofje dorëzuam udhërrëfyesin! Nëse ka tradhti, VMRO-DPMNE-ja paralajmëron protesta masive

TË FUNDIT

Propozimin që e dërgova në Sofje nuk ka të bëjë me asnjëfarë çështje të identitetit por e dorëzova Udhërrëfyesin për bashkëpunim më intensiv mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Këtë për TV21 e deklaroi kryeministri Zoran Zaev pasi që këto ditë në opinion dolën spekulime se në portofolin e kaltër që e dorëzoi në Sofje, njëri prej propozimeve është se gjuha maqedonase dhe bullgare janë të njëjta, por të pranuara si të veçanta.

“Që kur doli ky informacion i pasaktë menjëherë demantuam nga Qeveria. Disa herë kemi përsëritur dhe këtë e kemi bërë publikisht edhe para gjithë institucioneve evropiane – për Gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas nuk negociojmë, e as që dikush ka të drejtë të negociojë. Propozimin që e dorëzuam në Bullgari është Udhërrëfyesi (RoadMap), në përputhje të së cilit të dy palët obligohemi për rritjet të efikasitetit në gjithë sferat e bashkëpunimit me afate konkrete dhe institucione kompetente, mes të cilëve është edhe propozimi për intensitetin e punës së Komisionit për Histori dhe Arsim mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, deklaroi Zaevi.

Nga VMRO-DPMNE edhe më tej akuzojnë Zaevin se po bën tradhti kombëtare. Thonë se po udhëhiqet një proces jo transparent, që do të thotë se nuk është në favor të Maqedonisë.

“Siç e shihni të gjitha partitë politike në Bullgari janë mirë të informuara për procesin dhe komunikojnë me Qeverinë dhe Qeveria i informon, ndërsa në Maqedoni ato informacione fshihen nga opozita dhe logjika është e thjeshtë, fshihen për shkak se nuk janë të favorshme për Maqedoninë. Ne jemi në rrugë dhe nëse Zoran Zaev hyn në procesin e tradhtisë kombëtare, do ta thërrasim mbarë popullin maqedonas në rrugë”, tha Aleksandër Nikollovski – nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Pas vizitës së delegacionit maqedonas të udhëhequr nga Zaev në Sofje, të enjten në opinion u plasuan spekulime se në portofolin e kaltër që iu dorëzua palës bullgare, ka 5 propozime. Në Maqedoni më së shumti reagime ngjalli spekulimi i publikuar në një pjesë të mediave bullgare se një prej propozimeve është se gjuha maqedonase dhe bullgare janë të njëjta, por të pranuara si të veçanta në nivel ndërkombëtarë.