Zaev: Nuk vlejnë 5 pare, e kam thënë për BDI-në, Ahmeti: S’ka ofendim më të madh se t’u thuash shqiptarëve se shiteni

TË FUNDIT

“Ata nuk vlejnë 5 banka…ata luftojnë vetëm për para” janë vetëm disa nga fjalët që Zoran Zaev i thotë për shqiptarët në një audio-përgjim të publikuar sot në internet.

Zoran Zaev dhe bashkëbiseduesi

XX: Shqiptarët tashmë po ua shkruajnë faturën

Z.ZAEV: Nuk vlejnë 5 pare…

XX: Ëhë, nuk vlejnë…

Z.Z: Nuk vlejnë në tregun e votave…

XX: Me 1 mijë njerëz na e morën shtetin, do të na e marrin…

Z.Z: Ata do të…

XX: Ju duhet të fokusoheni në këtë…

Z.Z: Ata luftojnë vetëm për para

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti i ftuar në TV21 për debat zgjedhor tha se personalisht nuk e ka dëgjuar përgjimin por shtoi se është ofendim i madh!

“Nëse është e vërtetë, nuk e di a ka ofendim më të madh për shqiptarët nëse ai e thotë lëri shqiptarët se ata shiten për pesë pare. Kjo deri në varr eshtrat ua ofendon shqiptarëve. Dhashë zoti të mos jetë e vërtetë”, deklaroi për TV21, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev e pohon se në audio-përgjim është zëri i tij, por thotë se nuk e ka pasur fjalën për shqiptarët por për Bashkimin Demokratik për Integrim.

 “BDI nuk vlen 5 pare në tregun e votave. Ky është qëndrimi im sot, ishte edhe atëherë, në kohën kur është incizuar biseda e publikuar sot. Kishin 20 deputetë, ranë në 10, në këto zgjedhje do të kenë edhe më pak. Unë kam treguar dhe dëshmuar me vepra dashurinë time dhe respektin ndaj shqiptarëve. Jo vetëm me fjalë por në vepër”, tha për TV21, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Në përgjigjen dërguar TV21 për audio bombën Zaev shton se publikimi i të njëjtave nuk do ta demotivojnë për të vazhduar me konceptin e tij shoqëri për të gjithë.