Maqedonia nuk do të pranojë ndërhyrje në identitein dhe përcaktimin e historisë nga një komb tjetër. Kështu ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev në edicionin javor të gazetës greke “Katimerini”, duke aluduar në çështjen e hapur me palën bullgare.
“Për Maqedoninë Veriut, për popullin maqedonas, për të gjithë qytetarët e vendit tonë, çdo ndërhyrje në identitetin maqedonas është e papranueshme. Procesi ka vazhduar për një kohë të gjatë, ne nuk duam të ndalemi dhe nuk do të ndalemi, por nuk do të rrezikojmë dinjitetin tonë dhe identitetin tonë. Unë besoj se do të gjejmë zgjidhje të përbashkëta me Bullgarinë dhe do të ndërtojmë një të ardhme cilësore për ne dhe gjeneratat e ardhshme”, thekson Zoran Zaev – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Ndryshe kryeministri Zaev nesër do të udhëtojë për në Bruksel për ta takuar kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Lajen. Në këtë takim pritet që temë bisedimi të jenë edhe deklaratat e fundit të eurokomisionarit për zgjerim, Oliver Varheji, i cili tha se ka gjasa të ndahen proceset e Maqedonisë dhe Shqipërisë për anëtarësim në BE.
Ndërkohë zëvëndësi i tij i Parë Grubi thotë se vizita në Bruksel e kryeministrit Zaev po bëhet në kohën e duhur për të alarmuar institucionet e BE-së se radha për të vendosur është në duart e tyre.
“Të gjitha kompromiset e duhura dhe të pa duhura ne liderët e këtij vendi i kemi bërë, përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë të rrumbullaksuar edhe me të gjitha reformat e kërkuara nga BE. Ne guximin tonë e dëshmuam, tash guximi duhet të demonstrohet nga ana e liderëve të Bashkimit Evropian dhe të mos na mbajnë peng të ardhmen e qytetarëve tanë”, deklaroi Artan Grubi – zëvendëskryeministër i parë.
Sipas Grubit, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk duhet të ndahen në negociatat për fillimin e bisedimeve me BE-në, pasi që sipas tij ky proces ka filluar së bashku me Shqipërinë dhe duhet të vijojë në të njëjtën formë. Edhe ministri i jashtëm Bujar Osmani beson se Maqedonia dhe Shqipëria nuk do të ndahen në rrugën e tyre drejt Unionit dhe se debati që zhvillohet në opinion publik është i gabuar.
