As nuk guxojmë të mendojmë për anulimin ose shtyrjen e regjistrimit të popullsisë. Kështu u përgjigj kryeministri Zoran Zaev, në pyetjen nëse rritja e rasteve të reja ose mungesa e interesimit për regjistrues do bëjë Qeverinë që ta anulojë regjistrimin. Zaev deklaroi se procesi i regjistrimit është obligim që duhet të realizohet dhe apeloi deri tek qytetarët që sa më shumë të paraqiten edhe në konkursin për regjistrues.
“Këtyre ditëve po bëhen përpjekje shtesë që të mund qytetarët të paraqiten për regjistrim. Apeloj deri tek qytetarët që të paraqiten për regjistrues sepse të ardhurat janë nga 25 mijë deri në 40 mijë denarë për këto 25 ditë pune, posaçërisht në komunat ku ka deficit, të paraqiten që të mund të rrumbullakohen me kohë të gjitha numrat. Unë besoj se do të kemi numrin e mjaftueshëm të regjistruesve”, tha Zaev.
Ndërkohë Enti për Statistika tashmë për të tretën herë po e vazhdon afatin për paraqitjen e regjistruesve në terren dhe instruktorëve rajonal. Zëvendës drejtori për Statistika, Ilmi Selami për TV21, theksoi se paga për punën si regjistrues është e mirë, ndërsa puna është e thjeshtë.
“Kompensimi është solid, e përmenda njëherë, dhe po e përsëris edhe njëherë është mbi 500 euro dhe aq sa do të punojnë. Mund të arrijnë edhe 600 euro. Pra varësisht nga puna e tyre që do ta bëjnë në terren, aq edhe do të kompensohen. 05.35- 47 Zakonisht studentët kanë gjithnjë mungesë dhe nevojë për financa dhe ja një rast i mirë, për ta është një punë shumë e lehtë për ta bërë”, deklaroi Selami më 17 gusht 2021.
Enti Shtetëror për Statistika kërkon 5555 regjistrues, ndërsa deri tani janë paraqitur përafërsisht 4300. Në bazë të planit që ka përgatitur Enti Statistikave duhen diku edhe 600-700 regjistrues. Regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave do të mbahet nga 5 deri më 30 shtator të vitit 2021, i njëjti duhej të zhvillohej në prill të 2021, por u anulua me marrëveshje politike.
