Zaev në konsultime brendapartiake

TË FUNDIT

Pas bisedimeve mes partnerëve të koalicionit,  pritet që Zoran Zaevi t’i thërrasë në konsultime udhëheqësinë por edhe anëtarët e partisë. Ministri i drejtësisë Bojan Mariçiq thotë se takimet dhe konsultimet po zhvillohen dhe se brenda një jave do të ketë zgjidhje konkrete. Për ne është prioritet të ruhet shumica parlamentare dhe të gjendet formulë se si  të vazhdojë të funksionojë qeveria  në këtë moment, tha Mariçiq.

 “Konsultimet dhe takimet po zhvillohen dhe me të vërtetë nuk është në rregull që të dalim me detaje dhe të tregojmë se çfarë do të jetë më tutje, për shkak se ende zhvillohen konsultimet edhe me partnerët e koalicionit, në nivel të LSDM-së sot ka një sërë takimesh  dhe presim që javën e ardhshme të dalim me plan konkret”, tha Bojan Mariçiq – ministër i Drejtësisë.

Mariçiq paralajmëroi mundësi që pas takimeve të sotme, përgjegjësi të mbajnë edhe funksionarë të tjerë të lartë të LSDM-së. Do të bëhet vlerësim  i përgjegjësisë së shtabit qendror zgjedhor, tha Mariçiq, pas çka parashtrohet pyetja  nëse përgjegjësi   do të mbajë edhe Lupço Nikollovski si shef i shtabit zgjedhor.

 “Ne kishim më shumë takime në disa nivele dhe sot ka një sërë takimesh serioze ku do të bëhet vlerësim i përgjegjësisë së Shtabit qendror zgjedhor në të gjitha nivelet. Mendoj se pas kësaj, kur të merremi vesh do të shpallim se çfarë do të jetë më tutje në lidhje me mbajtje të përgjegjësisë”, shtoi Mariçiq.

Kur jemi te mbajtja e përgjegjësisë, sot dorëheqje dha edhe Goran Sugarevski për shkak të, siç tha, dështimit të zgjedhjeve.

 “Në shenjë  të përgjegjësisë morale për dështimin e zgjedhjeve lokale, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror, jap dorëheqje nga funksioni kryetar i Bordit mbikëqyrës të LSDM-së.  Ushtrimi i funksioneve të larta  partiake dhe shtetërore mes të tjerash nënkupton  edhe përgjegjësi  ndaj qytetarëve dhe anëtarëve të partisë sonë. Në atë drejtim, dorëheqja është kontributi im për konsolidim sa më të shpejtë të partisë dhe kthimi në rrugën e fitoreve”, deklaroi Goran Sugarevski.

Pas pesë ditëve nga  dorëheqja e paralajmëruar e kryeministrit Zoran Zaev ende po zgjasin konsultimet për atë se kush do të ulet në pozitën e tij edhe në qeveri edhe në parti. Deri  më tani përmenden disa emra mes të cilëve emri i ministrit të brendshëm, Oliver Spasovski, për të cilin jozyrtarisht pohohet se mund t’i marrë  të dyja funksionet. Edhe pse spekulohej se ish nënkryetari i LSDM-së, Gordan Georgiev, por edhe ministri aktual i drejtësisë, Bojan Mariçiq ka gjasa që të emërohen në krye të partisë, ata i mohuan këto pohime.