Zaev: Ka hapësirë për bisedime, por nëse nuk ka marrëveshje, zgjedhje do të ketë sipas ligjit

TË FUNDIT

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev sot deklaroi se ka hapësirë për bisedime me opozitën për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare deri në përfundim të gjendjes së jashtëzakonshme prej shtatë deri në 10 dhjetë ditët e ardhshme, por nëse nuk gjendet zgjidhje pastaj do të duhet të respektohen dispozitat kushtetuese dhe afatet kohore dhe të shkohet në zgjedhje, në të cilat ai është i bindur se do të fitojë.

“Dëshirojmë të jemi fleksibil. Dëshirojmë të marrë pjesë opozita. Thamë se nuk jemi të lidhur për 21 qershorin, dëshirojmë në këtë periudhë të valës së parë të rënies së krizës të dalim në zgjedhje. Dëshirojmë dialog, dëshirojmë marrëveshje, por nëse nuk ka marrëveshje nuk mundemi me forcë të detyrojmë edhe palët tjera që të arrijnë marrëveshje gjegjësisht të shkojnë në zgjedhje. Në fund të gjithë kanë dorëzuar lista dhe janë kandidatë në zgjedhje, dhe zgjedhjet duhet të mbahen jo vetëm se ne si LSDM jemi ulur dhe mendojmë se duhet të ketë zgjedhje, por për shkak të asaj se ligji këtë e parasheh, Dekreti me fuqi ligji dhe Kodi Zgjedhor”, tha Zaevi në konferencën e sotme për media para selisë së partisë.

Sipas Zaevit, bojkot të zgjedhjeve nuk mund të ketë sepse listat e kandidatëve tashmë janë pranuar, ndërsa është tërhequr edhe shorti. Çështja është se a do të bojkotojë dikush fushatën, tha Zaevi, duke potencuar se LSDM-ja nuk dëshiron që askush ta bojkotojë fushatën.

Sipas tij, në takimin e djeshëm të liderëve për terminin 21 qershor ata kishin marrë mbështetje nga BDI-ja, nga PDSH-ja dhe nga Besa. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë propozuar zgjedhje më 26 korrik, përderisa VMRO-DPMNE-ja më 23 gusht, 30 gusht ose 6 shtator, por për shkak të fundjavës së vazhduar, ishte propozuar 13 shtatori.

Lideri i LSDM-së e përsëriti qëndrimin se nuk është mirë që zgjedhje të ketë në fund të gushtit ose fillim të shtatorit për shkak të mundësisë për pik të ardhshëm të koronavirusit. Përmendi raportet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse dhe të OBSH-së, si dhe zgjedhjet të cilat do të mbahen në vendet fqinje si Serbia, ndërsa pastaj edhe Kroacia.

“Kemi argumente plus sepse duhet të shkojmë në zgjedhje të shpejta”, tha Zaevi i cili përsëriti se nuk do të dëshironte me shtyrjen e zgjedhjeve për gusht ose shtator, e madje edhe dhjetor, vendi të jetë në situatë të krizës së re politike.

Sipas tij, VMRO-DPMNE-ja dhe Mickovski dëshirojnë t’i zvarrisin zgjedhjet sepse frikësohen nga humbja në zgjedhje.

“Zgjedhjet ata do t’i humbin jo për shkak të Zaevit, por për shkak të politikës së tyre dhe kuadrove jocilësore”, tha lideri i LSDM-së./MIA