Zaev: Gjuha maqedonase po zyrtarizohet, Mucunski: Vendimi nuk do të thotë anëtarësim në BE

TË FUNDIT

Përcaktimi i draft-versionit të kornizës negociuese është konfirmim se hapërojmë drejt BE-së dhe bashkë me anëtarësimin në NATO po realizohen qëllimet strategjike të vendit tonë. Këtë e deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, duke shtuar se korniza negociuese është edhe njohje për gjuhën maqedonase, e cila u zyrtarizua në BE dhe u bë pjesë e familjes së madhe evropiane. 

“Gjuha maqedonase është cekur si gjuhë në të cilën duhet të përkthehet legjislacioni evropian para se të bëhemi anëtare e BE-së. Kjo është edhe një konfirmim dhe njohje për gjuhën maqedonase. Kjo le të jetë edhe thirrje që të ndalojnë të gjitha gënjeshtrat e atyre të cilët me muaj të tërë gënjenin dhe thonin se e kemi humbur gjuhën dhe të ndalojnë ta ofendojnë dhe nënvlerësojnë duke e quajtur “severxhanski”, tha Zaev. 

Edhe pse thonë se çdo hap drejt BE-së është për t’u mirëpritur, megjithatë nga opozitarja VMRO-DPMNE nuk shohim hapësirë të madhe për festë dhe eufori nga përcaktimi i kornizës negociuese. Sekretari partiak për politikë ndërkombëtare, Timço Mucunski, e hedh poshtë pohimin e Zaevit lidhur me gjuhën maqedonase.

-Ky akt nuk do të thotë se Maqedonia njëkohësisht ka marrë edhe datë për nisje të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Atë që LSDM-ja sot e paraqiti si një sukses të jashtëzakonshëm është vetëm propozim-tekst për kornizën negociuese. Lajm i rrejshëm është fakti se gjuha maqedonase është bërë gjuhë zyrtare në BE. Kjo do të ndodhë pikërisht në momentin kur vendi ynë do të bëhet anëtare e plotfuqishme e BE-së”, tha Mucunski.

Korniza negociuese ishte përcaktuar dje, edhe atë në ditën e parë nga kryesimi i Gjermanisë me BE-në. Negociatat fillojnë me Konferencën e parë ndërqeveritare me hapje të kapitullit 23, i cili ka të bëjë me gjyqësorin dhe të drejtat themelore dhe të kapitullit 24, i cili ka të bëjë me të drejtën, shtetin e së drejtës, lirinë, kriteret ekonomike dhe reformat në administratën publike. Vendimi për çelje të negociatave ishte sjellë në mars të këtij viti, kurse Maqedonia bashkë me Shqipërinë do të jenë vendet e para të cilat do t’i zhvillojnë negociatat sipas Metodologjisë së re.