Lideri i partisë më të madhe opozitare akuzoi BDI-në se për tetë vite qeverisje nuk ka bërë asgjë përveç punësimeve partiake, duke e quajtur populiste kërkesën për integrimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në Marrëveshjen e Perzhinos. “BDI, e cila pothuajse tetë vite është në Qeveri, tani e vendos në tavolinë Marrëveshjen e Ohrit, dhe deri tani ajo kishte kujdes vetëm për punësime partiake. Kjo nuk është parimore, ne jemi të hapur të bisedojmë për çdo temë”, theksoi Zaev.
Në akuzën e tillë shumë shpejt reagoi BDI. Zëdhënësi i partisë, Bujar Osmani deklaroi se Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë të punojë për punësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, deri në përmbushjen e plotë të përqindjes sipas Marrveshjes së Ohrit. “Ne për marrëveshjen e Ohrit flasim edhe kur ka edhe kur nuk ka fushatë zgjedhore, ashtu që nuk e lidhim Marrëveshjen e Ohrit me populizëm. Do të punojmë në implementimin e Marrëveshjes në shkronjë dhe në frymë, sa i takon punësimeve, ne do të vazhdojmë të punësojmë në kuadër të Marrveshjes së Ohrit, derisa të punesohet shqiptari i fundit në kuadër të kuotave që i parasheh Marrveshja e Ohrit”, potencoi Osmani.
Zaev po ashtu theksoi se deri më tani LSDM-ja me qytetarët ka ndarë më tepër se 1300 materiale të përgjuar. Partia e tij posedon mbi 600,000 telefonata të përgjuara, persona të përgjuar janë edhe funksionarë të lartë qeveritarë. “Me eksperiencën që kemi me situatën në Ukrainë dhe shtetet arabe, partia jonë mundohet që të jetë shembull pozitiv duke mos prodhuar dhunë, edhe pse organizata të shumta civile ishin gati drejtpërsëdrejti të sulmojnë Qeverinë dhe Parlamentin, LSDM-ja me anë të metodave paqësore e qetësoi situatën”, tha ai.
Katërmbëdhjetë vite pas nënshkrimit, Marrëveshja e Ohrit akoma përmendet si elementare për ecurinë e Maqedonisë dhe për këtë arsye është edhe pjesë e marrëveshjes së Przhinos të nënshkruar më 2 qershor. Në pikën e katërt të Marrëveshjes së Przhinos, partitë politike pajtohen se do të punojnë për të mirën e të gjithë qytetarëve, për zgjedhjen e problemeve të tyre, konsolidimin ekonomik të vendit, përforcimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnikë si dhe përmbushjen e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
Blerim Ismaili
