Aktorja e filmit “Zgjoi”, që ishte në listën e ngushtë për t’u nominuar për Oscar, Yllka Gashi ka falenderuar publikun, për siç thotë, dashurinë që iu dha atyre gjatë një viti.
Ky shkrim i Gashit vjen pasi “Zgjoi” sot nuk u nominua për çmimet Oscar, por siç thotë aktorja, filmi u hapi dyer e u mundësoi të kenë shpërthim ndërkombëtar në karrierat e tyre, përcjell TV21.
Shkrimi i plotë i Gashit:
“Zgjoi” që e punuam me shumë pasion e përkushtim, na hapi dyer e na e mundësoi jo vetëm të kemi shpërthim ndërkombëtar në karrierat tona, por edhe ta promovojmë Kosovën e suksesin e grave të Kosovës!
“Zgjoi” na solli gëzim e na bëri krenarë të gjithëve dhe shkroi histori te re për kinematografinë tonë!
Ishte dhe mbetet rrugëtim i bukur e i paharruar, për të cilin jam shumë falenderuese!
Falemnderit shumë që u gëzuat për ne e për dashurinë e përkrahjen e jashtëzakonshme që na e keni dhënë tash e një vit!
Jam e bindur që në vitet në vijim filmi kosovar do të bëjë histori duke u nominuar e fituar në edicionet e ardhshme të Akademisë. Kosova ka shumë talent e rrëfime autentike të cilat duhet t’i tregojmë!
Edhe njëherë falemnderit nga zemra!
