Kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Akil Gjakova, i cili dyshohet për vepër penale dhuna në familje, e ka refuzuar Gjykata Themelore në Pejë.
Gjykata ka caktuar masa të ndalimit ndaj xhudistit kosovar.
Në vendim thuhet se Akil Gjakova e ka të ndaluar t’i afrohet vendit ku banon gruaja e tij.
“Të pandehurit i është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që të njëjtit i është ndaluar për t’iu afruar vendit ku e dëmtuara banon si dhe vetë të dëmtuarës, në distancë prej pesëdhjetë (50) metra, e në rast të mosrespektimit të kësaj mase nga ana e të pandehurit, gjykata ndaj të njëjtit do të caktoj masën e paraburgimit. Pasi pala e dëmtuar të njoftohet me aktvendim edhe ajo duhet të respektoj vendimin e gjykatës dhe nëse qëllimisht cenon kufizimet që i ka i pandehuri, gjykata mund t’a dënojë personin e mbrojtur me gjobë“, thuhet në njoftim.

