Kryeministri britanik, Boris Xhonson në video porosinë e publikuar mbrëmë vonë, u bëri thirrje britanikëve që sot pas Krishtlindjes, ta lexojnë marrëveshjen tregtare të arritur me Brukselin.
Negociuesit e Londrës dhe Brukselit dje përfundimisht arritën marrëveshje për marrëdhënie tregtare mes dy palëve para fundit të periudhës kalimtare e cila skadon në fund të vitit.
Teksti i plotë i marrëveshjes, në disa mijë fjalë, nuk ishte menjëherë i kapshëm për opinionin.
“Në të vërtetë, sonte në natën e Buzmit kam dhuratë të vogël për secilin që do të kërkojë diçka të lexojë në momentet relaksuese pas drekës së Krishtlindjes – ja ku e keni”, tha Xhonson në Tuiter pas çka në duar e mori marrëveshjen.
“Kjo është gosti – përplot me peshq”, shtoi Xhonson për marrëveshjen e arritur pas negociatave nl të cilat peshkimi ishte një ndër pikat kryesore të mospajtimeve mes dy palëve.
“Besoj se kjo do të jetë bazë për partneritet me fat, të suksesshëm dhe stabil me miqtë tanë në BE në vitet në vijim”, përfundoi kryeministri britanik.
Porosia e tij fitimtare u publikua në kohën kur shumë britanikë nuk do ta kalojnë Krishtlindjen me familjet e veta për shkak të kufizimeve të vendosura për parandalim të përhapjes së llojit të ri të koronavirusit.
“E dimë se në Krishtlindjet e ardhshme do të ketë njerëz që i duam dhe të cilët janë gjallë mu sepse po sakrifikojmë dhe nuk e festojmë këtë Krishtlindje në mënyrë normale”, tha Xhonson./MIA
