Xheladin Rushiti mbi 30 vite profesor i matematikës! Në ditët e para të pensionit i mungon zilja dhe nxënësit

TË FUNDIT

Përkushtimi, sakrifica dhe kujdesi i një mësimdhënësi. Mbi 30 vite mësimdhënës në gjimnazin e Kërçovës, tanimë prej ditësh në pension. Ky është profesori Xheladin Rushiti, i cili në vitin 1994 ka kapur për herë të parë ditarin si mësimdhënës në shkollën e mesme të Kërçovës për të vijuar deri në pension si profesor i matematikës. Si periudhë më të vështirë për 30 vite punë kujton periudhën kur kanë hasur në rezistencën për hapjen e paraleles matematiko-natyrore në gjuhën shqipe në gjimnazin “Mirko Mileski”.

“Periudha më e vështirë është kur kemi pasur hapjen e paraleleve, sepse në fillim kemi pasur dy paralele në gjimnaz, mirëpo me kalimin e periudhës, me kohën, me shtimin, se në atë fillim bëhej testimi për pranimin e nxënësve nëpër shkollat fillore, aty kishim pengesa për hapjen e drejtimit matematiko-natyror. Më kujtohet periudha kur u angazhuam të gjithë që të hapim paralelen e parë matematiko-natyrore”, Xheladin Rushiti – profesor në pension.

Ndërkaq, shqetësim shprehu  për pagat e ulëta të mësimdhënësve krahasuar me rolin që kanë në shoqëri dhe në edukimin e gjeneratave të reja.

“Ka mangësi shteti si shtet, konkretisht Ministria e Arsimit. Duhet të rriten rrogat që mësimdhënësi të ketë vullnet për punë, që të mos angazhohet në angazhim të dytë që të mbijetojë. Që të arrihet cilësia, të arrihet suksesi, duhet të rriten rrogat nga Ministria e Arsimit sepse janë të ulëta në krahasim me standardin që është në Maqedoni”, Xheladin Rushiti – profesor në pension.

Profesori për gjeneratat që vijnë ka një mesazh:

“Janë nxënës të mirë, mirëpo, në bazë të kushteve që kanë në krahasim me gjeneratat e mëparshme, është më mirë që të ulen dhe ta shfrytëzojnë maksimumin, sepse kanë kohë të lirë edhe për teknologjinë”, u shpreh Xheladin Rushiti – profesor në pension.

Ai thotë se, edhe pse tanimë po shijon ditët e para të pensionit, i mungon zilja e shkollës, zhurma e nxënësve dhe pa dyshim kolegët e punës. Ndërkaq shprehet i gatshëm edhe sot, pas pensionit, t’u ndihmojë nxënësve të cilët kanë nevojë për mësim shtesë, vetëm e vetëm që të ecin përpara.