Në Bernë më 12 janar të vitit të ardhshëm do të shpallen futbollistët më të mirë për vitin 2025 në Zvicër.
Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri janë të nominuar për të fituar çmime të tjera dhe me shumë gjasë kandidatët kryesorë në kategoritë përkatëse. Në garë për të fituar çmim janë edhe Shkëlqim Demhasaj dhe Valon Fazliu.
Nominimet janë publikuar të premten.
Xhaka është i nominuar në njërën prej kategorive kryesore, atë për futbollistin më të mirë të Zvicrës. Në konkurrencë me kapitenin e Përfaqësueses së Zvicrës dhe Sunderlandit, janë Manuel Akanji dhe Dan Ndoye.
Te futbollistet në konkurrencë janë Geraldine Reuteler, Sydney Schertenleib dhe Lia Walti.
Xhaka e ka fituar çmimin e futbollistit më të mirë te Përfaqësuesja e Zvicrës në tri edicionet e kaluara. Çmimin e vitit të kaluar e fitoi pas sukseseve që pati me Bayer Leverkusenin, skuadër me të cilën e fitoi Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë.
Edhe Valon Fazliu e Ardon Jashari patën fituar çmime. Fazliu ishte më i miri i kategorisë së dytë, kurse Jashari ishte futbollisti më i mirë i ri.
Xherdan Shaqiri është konkurrenti kryesor në kategorinë e futbollistit më të mirë të Superligës së Zvicrës. Këtë vit Shaqiri pati shumë suksese me Baselin, duke fituar titullin dhe Kupën e Zvicrës dhe duke realizuar e asistuar një numër të madh të golave.
Matteo Di Giusto dhe Miroslav Stevanoviq janë konkurrentë të Shaqirit, por me gjasa të vogla.
Janë edhe katër kategori të tjera për të cilat do të ndahen çmime, si futbollisti më i mirë i ri dhe futbollistja më e mirë e re. Futbollistja më e mirë e Superligës së Zvicrës dhe futbollisti më i mirë i kategorisë së dytë të futbollit zviceran. Te kjo kategori garojnë Shkëlqim Demhasaj dhe Valon Fazliu.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve organizohet nga Federata e Futbollit e Zvicrës dhe Liga e Futbollit të Zvicrës.
Të nominuarit janë zgjedhur nga paneli i ekspertëve ku përfshihen trajnerët e klubeve, drejtorët sportivë dhe kapitenët, si dhe përzgjedhësit e përfaqësueseve të Zvicrës.
Rezultati final do të përcaktohet nga një e treta e votave të jurisë së ekspertëve, përfaqësuesve të zgjedhur të mediave dhe tifozëve.
