Si Universitet, si vatër e forcës progresive, përparuese, e cila hapëron paralelisht me ndryshimet dhe risitë dhe në të njëjtën kohë përballet, përshtatet dhe i tejkalon edhe sfidat të cilat i sjell modernizimi, me të cilat përballet gjithë shoqëria, tërësisht jam i bindur se nuk do të ndaleni pas universiteteve tjera në vend dhe botë, porositi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në akademinë solemne me rastin e 26-të vjetorit të themelimit të Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT).
“Jam i sigurt se tani më digjitalizimi është shndërruar në mënyrë të rregullt të funksionimit të universitetit, të zhvillimit të orarit mësimor, të komunikimit ndërmjet stafit akademik dhe studentëve aktual dhe të ardhshëm.Dhe, pikërisht ashtu edhe duhet të jetë, sepse, në asnjë situatë, sado që të jetë ajo e vështirë, ndarja e njohurive, hapja e horizonteve të reja të dijenisë, vënia e gurëve përforcues në themelet e këtyre fidanëve të ri, nuk guxon të ngecë, të pengohet, të vështirësohet apo, të ndalet përgjithmonë. Dhe, gjatë kësaj, digjitalizimi është vetëm edhe një vlerë e shtuar sepse, me anë të globalizimit, hapen dritare të reja, botë të reja dhe në atë botë virtuale, nuk ka pengesa, nuk ka sekrete, i tërë potenciali intelektual botëror është larg vetëm me një klikim të butonit, kështu që, ju sugjeroj, ju inkurajoj, të jeni të guximshëm, të jeni kureshtarë, të jeni syçelë, bota është një dhuratë e mbështjellë me shumë shtresa dhe çdo hapje e fletës së re, ju dhuron surprizat më të bukura dhe të papritura”, u tha Xhaferi studentëve.
Gjendemi në Tetovë, në qytetin universitar me potencialin shumë të madh studentor në shtet dhe energjia, vullneti, vizioni dhe dëshira e zjarrtë për të investuar në përkryerjen intelektuale personale për të plotësuar parakushtet për të pasur një jetë të përmbushur profesionale.
“Tani, duhet ta shtrimë dorën e inkurajimit dhe mbështetjes pa rezervë, ashtu siç kanë bërë edhe të parët e këtij universiteti, ato që e ditën rëndësinë e arsimit në gjuhën amtare, ato që kurrë nuk hezituan në asnjë çast për të mbrojtur këtë të drejtë me trupin dhe me jetën e vet. Dhe prandaj kemi përgjegjësi dhe as ne, as gjeneratat e ardhme, nuk guxojmë ta lëmë në harresë këtë sakrifikim dhe betejë rezultatin dhe frutat e së cilës sot i gëzojnë gjeneratat e shumta që kanë dalë dhe do të vazhdojnë të dalin nga këto banka universitare dhe do të japin kontributin e vet të çmuar në çdo pore të jetës, dhe në çdo segment të shoqërisë sonë multietnike”, potencon Xhaferi.
Ai potencoi se edhe krahas vështirësive dhe pengesave në të cilat hasim për shkak të përplasjeve politike, punojmë në drejtim të përmirësimit të standardit studentor, duke bërë ndryshime ligjore me të cilat mundësohet ndihmë financiare në këtë kohë të vështirë por, punojmë edhe në drejtim të njësimit të statusit shkencor edhe nëpër universitetet ashtu siç është rregulluar në institutet.
“Do të vazhdojmë të kërkojmë dhe ndryshojmë zgjidhjet ligjore në fushën e arsimit, duke i pasur dyert hapur për kontributin e profesionistëve dhe vetë studentëve që të gjejmë zgjidhjet më të mira të mundshme që edhe universitetet tona të ecin në hap të njëjtë me universitetet botërore. Gjatë kësaj, autonomia universitare do të jetë udhërrëfyesi kryesor, por, në të njëjtën kohë, do e kemi ndërmend pavarësinë financiare dhe kadrovike të universiteteve sepse, nuk mund të ketë autonomi të vërtetë pa i pasur dy të fundit”, tha Xhaferi.
