Xhaferi: Të arrijë iniciativa, pastaj e shohim, rikthimi i Kuvendit – pro janë LSDM, PDSH, ASH dhe BESA! VMRO kundër

TË FUNDIT

Ende nuk ka arritur asnjë iniciativë, pasi të arrijë do ta shqyrtoj që të shoh se çfarë kërkojnë dhe do të prononcohem në lidhje me këtë. Kështu u shpreh për TV21  kryeparlamentari  Talat Xhaferi. Nga LSDM-ja konfirmojnë se mbledhin nënshkrime që të thirret Kuvendi në pajtim me Kushtetutën dhe këtë iniciativë më së voni  nesër do t’ia dorëzojnë kryeparlamentarit Xhaferi. Ata thirren në nenin 67 nga Rregullorja ku parashihet se “kryetari i Kuvendit mund të thërrasë seancë me kërkesë të presidentit të shtetit, Qeverisë ose me kërkesë të minimum 20 deputetëve”. Gjithashtu thirren edhe në nenin 64 paragraf 4 nga Kushtetuta ku thuhet “mandati i deputetëve në Kuvend mund të vazhdohet vetëm në rast të gjendjes së jashtëzakonshme apo ushtarake”.

“Është mirë që të thirret Kuvendi duke pasur parasysh kohëzgjatjen e kësaj krize shëndetësore, por patjetër edhe konfirmimin e vendimeve të presidentit të shtetit. Kjo iniciativë është në këtë drejtim, të gjitha spekulimet për ndonjë tentim të grupit tonë të deputetëve  për heqjen e kryetarit të Parlamentit, Talat Xhaferi, i hedhim poshtë. Patjetër, bëjmë konsultime edhe me deputetët të grupeve të tjera të deputetëve me të cilat e ndajmë të njëjtin mendim”, tha Kostadin Kostadinov, Zëdhënës i LSDM-së.

BDI-ja nuk është e njoftuar për iniciativën e LSDM-së, nga atje thonë se çdo vendim i cili është për të mirën e qytetarëve, duhet të sillet me konsensus të gjerë.

PDSH e përkrah këtë iniciativë. Kryetari i partisë, Menduh Thaçi tha se duhet të formohet edhe një koalicion më i gjerë qeveritar.

“Ne jemi demokraci parlamentare. Kuvendi e kontrollon pushtetin ekzekutiv. Nëse në momente të caktuara siç janë këto momente tani, kemi situatë të jashtëzakonshme, ka rrezik të madh që Qeveria të veprojë pa kontroll të Parlamentit. Mendojmë se në seancën e parë të Kuvendit duhet të diskutohet për Qeveri të unitetit nacional ku do të marrin pjesë të gjitha partitë parlamentare”, tha Menduh Thaçi, Lider i PDSH-së.

Nga opozitarja VMRO-DPMNE nuk e përkrahin iniciativën e LSDM-së duke thënë se bëhet fjalë për iniciativë të ish – deputetëve.

“Çdo hap i cili është jashtë asaj që e kanë pranuar dhe për çfarë janë marrë vesh liderët politikë në takimin e fundit të liderëve, do të paraqet shkelje e njëanshme të parimit për konsensus politik. Është e qartë se bëhet fjalë për dy gjëra, ose Zaev bën angazhime private ose angazhime me deputetë, ose është e madhe dëshira për të gjuajtur në errësirë”, tha Vlladimir Misajllovski, Nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Maqedonia hyri në muajin e dytë pasi u shpall gjendja e jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit. Presidenti Stevo Pendarovski dy herë e thirri kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi që ta thërrasë Kuvendin për t’i konfirmuar vendimet e tij. Edhe pse sipas Kushtetutës parlamenti është në funksion të vazhdueshëm, Xhaferi mbeti në qëndrimin se nëse parlamenti shpërbëhet një herë nuk mund të thirret përsëri.