Drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se ministrat e Listës Serbe kanë bllokuar ligjin për arsimin e lartë, me kërkesën për futjen në ligj si kategori e veçantë, Universitetin e Mitrovicës së veriut dhe financimin e tij nga Serbia. Kjo sipas Vetëvendosjes është kërkesë për ta etnizuar sistemin universitar në Kosovë.
Sipas VV, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës ndodhi edhe një bllokim i ri nga Ministrat e Listës Serbe.
“Projektligji për Arsimin e Lartë në Kosovë me gjithë vërejtjet apo sugjerimet lidhur me të përkufizon institucionet e arsimit të lartëqë veprojnë në vendin tonë. Këto institucione pra, kolegjet dhe universitetet janë të Kosovës dhe për qytetarët e Kosovës. Ato nuk mund të ndahen dhe kategorizohen brenda ligjeve tona sipas etnisë. Sidomos universitetet karakteri i të cilëve është universal dhe lidhet me dijen e dobinë shoqërore. Bllokimi i miratimit të këtij projektligji në Qeverinë e Kosovës nga ana e Ministrave të Listës Serbe me kërkesën për futjen në ligj si kategori e veçantë e Universitetit të Mitrovicës së veriut dhe financimit të tij nga Serbia është kërkesë për ta etnizuar sistemin universitar në Kosovë. Universiteti në fjalë është i rregulluar në normativët e pushtetit komunal meqenëse paraprakisht Kosova ka bërë lëshime që këto Komuna më shumicë të popullsisë serbe të kenë hapësira për shkollim universitar specifik. Por Listës Serbe kjo nuk i mjafton. Ata kërkojnë që ta mbajnë të izoluar këtë universitet nga pjesa tjetër e Kosovës dhe ta kategorizojnë brenda ligjit si Universitet të një etnie. Bllokimi e kërkesat e tyre, njëjtë si me ndërmarrjet publike dhe me çështjen e Forcave të Armatosura të Kosovës, po shkojnë në të njëjtin drejtim me atë të marrëveshjes për “Zajednicën”, pra ndarjes etnike të Kosovës në çdo zonë të rregullimit shtetëror e shoqëror”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.
Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë thirrje profesorëve e studentëve të ngrenë zërin për mos ta lejuar këtë kërkesë që shkon në kundërshtim me çdo parim të funksionimit të universiteteve, shoqërisë dhe republikës sonë.
