VV në Prizren: Më shumë shtete do ta njohin “Zajednicën” se sa Kosovën

TË FUNDIT

Në vazhdën e aktiviteteve mobilizuese të Lëvizjes Vetëvendosje, sot më 13 shtator, në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren, është mbajtur tribuna me temën “Rreziku nga Zajednica”. Në këtë tribunë para qytetarëve folën Visar Ymeri, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, Mytaher Haskuka dhe Glauk Konjufca.

Deputeti Mytaher Haskuka ne hapje të tribunës foli për dëmet që sipas Vetëvendosjes, sjell tribuna të tashmes dhe të ardhmes së vendit.

“Përmes kësaj marrëveshjeje në Kosovë po instalohet një entitet autonom serb i cili do ta pengojë zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit. Pushteti përmes medieve dhe zëdhënësve të vet po mundohet që të krijojë mjegull dhe apati në opinion për ta ndalur reagimin qytetar. Kjo është arsyeja e organizimit të takimeve të tilla, sepse Lëvizja Vetëvendosje beson se ‘Zajednica’ mund të ndalet”, citohet të ketë thënë Haskuka, në komunikatën që Vetëvendosje ka dërguar për media.

Ai ndër të tjera theksoi se përmes “Zajednicës” do të bëhet dezintegrimi i serbëve në Kosovë, duke e bërë Kosovën vend me dy sovranitete. Dhe një vend me dy sovranitete, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një vend anarkik, përfundoi ai.

Sipas kësaj komunikate, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku foli për gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale që e ka pllakosë vendin, dhe pamjaftueshmërinë e reagimit institucional për t’i ndalur këto procese negative.
“Kuvendi i Kosovës është degraduar në makineri votash. Ai është tërësisht jashtë funksionit të vetë. Për legjitimimin e ‘Zajednicës’ do të aktivizohet Gjykata Kushtetuese, dhe duke pasur parasysh përvojën me këtë institucion, vendimi i saj do të jetë i dëmshëm për Kosovën. Andaj, meqë Kuvendi është jashtë funksionit dhe deputetët nuk mund t’i shprehin mendimet e tyre, neve na duhet një Kuvend gjithëpopullor, ku të gjithë do të jemi deputet që do të na dëgjohet zëri”, citohet të ketë thënë ajo.

Kurse deputeti Glauk Konjufca theksoi se “Zajednica” është projekt nacional serb për krijimin e një entiteti autonom serb në Kosovë.
“Që prej vitit 1999, plani i Serbisë ka qenë ndarja brenda e Kosovës, e ndihmuar nga qeveritarët e shitur. Në vitin 2006 në Kosovë ishin vetëm pesë komuna me shumicë serbe. Pas vitit 2007 ato u bënë 11 komuna, të cilat kontrollohen nga vetëm 5% e popullsisë. Kjo gjë flet më së miri për planet ekspansioniste të Serbisë në Kosovë. Faza e dytë është bashkimi i këtyre komunave në një trup të vetëm që do të dirigjohet nga Beogradi. Prandaj, nëse qeveria e Kosovës nuk e rrëzon “Zajednicën”, atëherë kjo qeveri duhet të rrëzohet bashkë me të”.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri theksoi se ky proces është nisur me idenë e integrimit të serbëve në Kosovë, dhe përfundoi me integrimin e Serbisë brenda Kosovës.
“Zajednica do të jetë pushtet autonom, e cila ndonëse është brenda territorit të Kosovës do të funksionojë jashtë sovranitetit të Republikës së Kosovës. Është ironike se si ‘Zajednicën’ do ta njohin më shumë shtete se sa Republikën e Kosovës. Atë do ta njohin shtetet që e njohin Kosovën dhe shtetet që nuk na njohin. ‘Zajednica’ do të ketë atribute shtetërore dhe do të jetë më e fuqishme se Kosova. Këtë Beogradi do ta përdorë si bazë të fuqishme për ta luftuar pavarësinë e Kosovës, citohet të ketë thënë Konjufca.

Sipas tij, në Kosovë nuk mund të ketë edhe Republikë të Kosovës edhe ‘Zajednicë’ të Serbisë, dhe anasjelltas kur ka Republikë të Kosovës nuk mund të ketë ‘Zajednicë’.
“Ndërkohë, Kryeministri Isa Mustafa na flet neve për shenjtërinë e pronës private e cila mbrohet edhe me forcën e shtetit. Dakord. Por pronat private të shqiptarëve në veri të Mitrovicës të cilët nuk mund t’i qasen qe 16 vite, a nuk janë të shenjta? Pse ai nuk e dërgon Policinë e Kosovës atje, për ta ruajtur shenjtërinë aty ku duhet?”, ka thënë Konjufca.
Krejt në fund, pas diskutimit me qytetarët prezent në sallë, në sheshin Shadërvan është vendosur mbishkrimi“Prizreni nuk e pranon Zajednicën”.