Mbikalimi në “Momin Potok” gati deri në fundvit! Gjorgjievski: Janë realizuar 75% e punimeve

TË FUNDIT

Janë realizuar 75 për qind e punëve ndërtimore në mbikalimin te “Momin Potok”. Ky segment pritet të përfundojë deri në Vitin e Ri, ndërsa pas vënies në funksion do të zvogëlojë ndjeshëm kaosin në trafik dhe do të mundësojë qarkullim më të sigurt, bëri të ditur kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, gjatë inspektimit të punimeve.

“Tani eksproprijimi është 100 për qind i përfunduar, ajo që është me rëndësi është se të gjithë qytetarët janë kompensuar plotësisht nga Qyteti i Shkupit. Problemi i dytë që jemi përballur, ishte mungesa e progresit, sot jemi në fazën ku 75 për qind e punimeve janë realizuar dhe, siç premtova, deri në Vitin e Ri ky segment do të përfundojë tërësisht”, theksoi Orce Gjorgjievski, kryetar i Qytetit të Shkupit.

Ai shtoi se të martën ura do të betonohet, e më pas pritet të lidhet me urën tjetër që po ndërtohet në pjesën e Seravës.

Gjorgjievski po ashtu tha se po punohet intensivisht edhe në bulevardin “Boris Trajkovski”, ndërsa në gusht pritet të fillojnë punimet për urën që do të lidhë komunat Gazi Babë dhe Aerodrom.

“Tregova që janë mbështetje e fuqishme për ne, jo vetëm për Shkupin dhe për mua, por për të gjithë qytetarët e Shkupit. Qeveria ka siguruar 60 milionë denarë për mbikalimin te Momin Potok dhe besoj që kjo mbështetje do të rritet edhe në vitet e ardhshme. Ky është një nga projektet madhore që do ta përfundojmë”, u shpreh Orce Gjorgjievski, kryetar i Qytetit të Shkupit.

Ndryshe projekti për nyjën në “Momin Potok”, i nisur në korrik të vitit 2021 si një nga investimet më të mëdha infrastrukturore në Shkup, është shoqëruar me vonesa gjatë realizimit.