Vuçiç mohon akuzat se qëndron pas incidenteve antiturke në Mal të Zi

TË FUNDIT

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka mohuar të mërkurën se qëndronte pas incidenteve që kishin në shënjestër emigrantët turq në Mal të Zi dhe shtoi se “nuk kishte idenë se kjo po ndodhte”.

Duke iu përgjigjur akuzave nga Podgorica se Mali i Zi po hakmerret ndaj Turqisë për shkak se Ankaraja e furnizoi Kosovën me dronë, Vuçiç tha se “një gjë e tillë nuk i kishte shkuar kurrë në mendje”.

“Ata duhet të bëjnë një agjendë të re, sepse nuk dinë çfarë të ofrojnë përveç urrejtjes ndaj çdo gjeje serbe”, tha Vuçiç.

Incidentet në Mal të Zi filluan më 26 tetor, pas një përleshjeje në të cilën u plagos një banor i Podgoricës, dhe për të cilën dyshohen dy shtetas të huaj.

Përleshja nxiti protesta në rrugët e Podgoricës me mesazhin se “turqit duhet të dëbohen nga Mali i Zi”. Çfarë pasoi pastaj ishin edhe sulme ndaj shtetasve turq dhe pronës së tyre.

Si pasojë – Qeveria malazeze, e cila në përbërje ka edhe parti të afërta me Vuciçin – reagoi duke vendosur regjim vizash për shtetasit turq.