Vriten 23 persona gjatë sulmeve ajrore izraelite në Siri

TË FUNDIT

Të paktën 23 persona e kanë humbur jetën gjatë sulmeve ajrore në pjesën lindore të Sirisë ndaj postblloqeve të forcave qeveritare të sigurisë dhe aleatëve të tyre iranianë, kumtoi sot Qendra siriane për monitorim të të drejtave të njeriut, me seli në Londër.

Shefi i Qendrës siriane, Rami Abdel-Rahman, deklaroi se rreth 18 sulme izraelite janë kryer ndaj depove për armë dhe pozita ushtarake në Sirinë lindore, me ç’rast jetën e kanë humbur të paktën shtatë pjesëtarë të forcave qeveritare të sigurisë dhe 16 ushtarë aleatë, duke përfshirë edhe luftëtarë të lëvizjers shiite libaneze Hezbollah dhe milicitë e përkrahura nga Irani, njoftoi DPA.

Mediumet shtetërore siriane i kanë konfirmuar sulmet ajrore, pa informuar për viktima.

“Armiku izraelit ka kryer agresion ajror në qytetet lindore Deir al-Zur dhe Al-Bu Kamal”, njoftoi agjencia siriane e lajmeve SANA.

Deri tani Izraeli nuk u prononcua me qëndrim zyrtar lidhur me raportet për sulmet./MIA