Të paktën 10 ushtarë pakistanezë u vranë gjatë një sulmi në një post-bllok të sigurisë pranë kufirit jugperëndimor me Iranin, njoftoi ushtria pakistaneze, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të lëshuar të enjten, ushtria tha se “terroristët” kryen sulmin në zonën Kech të provincës Baloçistan.
“Një terrorist u vra dhe disa u plagosën”, shtoi ushtria. Më vonë në një operacion kërkimi, tre terroristë u arrestuan.
Fronti Çlirimtar i Baloçistanit, një grup militant i jashtëligjshëm në provincë, mori përgjegjësinë për sulmin.
Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan e dënoi ashpër sulmin.
Provinca e madhe e Baloçistanit është e një rëndësie strategjike për shkak të burimeve të pasura të bakrit, zinkut dhe gazit natyror.
Baloçistani, i cili përbën 42 për qind të territorit të Pakistanit, është një rrugë kyçe drejt Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan prej 64 miliardë dollarësh, i cili synon të lidhë provincën veriperëndimore të Kinës me rëndësi strategjike me portin pakistanez Gwadar përmes një rrjeti rrugësh, hekurudhash dhe tubacionesh për transport të mallrave, naftës dhe gazit.
