Vrau 77 njerëz në 2011, Breivik padit Norvegjinë për izolim “ekstrem” në burg

TË FUNDIT

Vrasësi famëkeq Anders Behring Breivik do të paditë shtetin e Norvegjisë me pretendimin se ka shkelur të drejtat e tij njerëzore, duke u mbajtur në izolim “ekstrem” në burg.

Avokati i tij njoftoi se autori i masakrës me 77 të vrarë në korrik të vitit 2011 ka kërkuar të lirohet me kusht.

Ai po vuan dënimin 21 vjet burg, që është edhe dënimi më i gjatë i njohur nga kodi penal norvegjez, por gjatësia e burgimit mund të ndryshohet në rast se 44-vjeçari Breivik shihet ende si i rrezikshëm.

“Ai po e padit shtetin, sepse ka qenë në një izolim ekstrem për 11 vjet dhe nuk ka kontakte me njerëz të tjerë përveç rojave,” tha të premten avokati Oeystein Storrvik.

“Ai [Breivik] u transferua në një burg të ri vitin e kaluar dhe shpresuam që të kishte kushte më të mira dhe se ai mund të takonte njerëz të tjerë,” shtoi Storrvik.

Në vitin 2017, Breivik e humbi padinë për çështjen e të drejtave të njeriut kundër gjykatës së apelit, kur pretendonte se izolimi i tij në një qeli me tre dhoma ishte çnjerëzor.

Vitin e kaluar, një gjykatë norvegjeze hodhi poshtë po ashtu kërkesën e tij për lirim me kusht, duke thënë se ai ende paraqet rrezik dhune.

Padia e fundit pritet të shqyrtohet vitin e ardhshëm.