Vrapçishtë, 94 të izoluar asnjë i infektuar, qytetarët respektojnë masat, dalin vetëm për nevoja

TË FUNDIT

Pavarësisht se në rrjetet sociale dhe disa portale  flitet se  në komunën e Vrapçishtit  numri i të infektuarve  me Covid 19 është shumë i madh dhe se autoritetet nuk  kanë marrë asnjë masë,  Televizioni 21 gjatë ditës së sotme ishte në këtë komunë për të parë situatën.  Lëvizja e qytetarëve ishte shumë  e vogël, ndërsa ata që i anketuam thonë se shumicën e kohës e kalojnë  në shtëpi dhe dalin vetëm për të blerë ushqim.

“Nuk kam frikë, unë qëndroj në shtëpi, kam 58  vite dhe  mirë është. E respektojnë të gjithë. Unë nuk kam frikë. Kur duhet të blej diçka dal dhe kthehem në shtëpi përsëri.“

“ Rrimë në shtëpi si të gjithë, rrimë si ka thënë qeveria  ashtu edhe qëndrojmë”

“Unë nuk kam frikë nga korona virusi, është shumë normale dhe popullata këtu ec normal “

Kryetari i komunës së Vrapçishtit Isen Shabani  thotë  se 94 persona janë izoluar, por deri më tani asnjë rast nuk është pozitiv. Në këtë komunë janë testuar 12 persona të cilat kanë ardhur nga jashtë. Të gjithë kanë dalë negativ, ndërsa nuk ka pasur persona tjerë me simptome të virusit korona.

“Fatmirësisht në komunën e Vrapçishtit nuk rezulton asnjë rast  pozitiv, kemi pasur ardhje nga vendet me rrezik të lartë, siç janë Gjermania, Italia, shtetet e Evropës  që kanë qenë në numër 94. Nga ata  48  kanë kaluar vet izolimin 14 ditë dhe numri që ka ngelur pra 46 , këtë javë do të mbarojnë edhe ata”, pohoi Isen Shabani nga komuna Vrapçishtit.

Komuna e Vraçishtit   bashkë me komunën e Gostivarit kanë konfirmuar edhe shtabin e Krizës  ku dy herë në javë dalin edhe me konkluzione  sa i përket situatës.