“Votuesit tashmë e dinë për kë do të votojnë”! Peshev: Ideja e BDI-së është e shkëlqyeshme për vota

TË FUNDIT

PR makineria në garë për vota – ishte tema e debatit në edicionin e mbrëmshëm të “Klik Plus” të TV21. Ekspertët e fushës, konsiderojnë se elektorati tashmë e di kujt do t’ia japë votën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 15 korrik.

-“Elektorati në Maqedoni tashmë është i përcaktuar dhe nëse i analizojmë të dyja mesazhet, këto janë mesazhe drejt një targeti. Realisht, LSDM-ja i targeton votuesit e saj, kurse VMRO-ja votuesit e saj. Po, pajtohem me Angellkën se ka një dozë në thonjëza – pranim të fajit”, tha Gazmend Ajdini.

BDI-ja para disa ditësh e prezantoi kandidatin e saj për kryeministër të parë shqiptar në Maqedoni. Ekspertët thonë se kjo është ideja e mirë për vota, por e keqe që të realizohet.

-BDI-ja me fushatën për kryeministër shqiptar, e cila ishte një fushatë e shkëlqyeshme, mund të them se jam i kënaqur nga ideja për këtë fushatë, edhe pse realizimi i saj nuk më pëlqen. Vetë ideja i lëkundi, ata u përpoqën, por edhe numrat flasin se BDI-ja po forcohet dhe mendoj se këtu do të ketë beteje jashtë asaj klasike VMRO, LSDM, BDI dhe Aleanca. Do të kemi luftë interesante”, tha Sashko Peshev.

Peeva, theksoi se partitë tani duhet të bëjnë gjithçka për ta provokuar elektoratin të dalë në votim, pasi siç thotë, në këto zgjedhje do të ketë dalshmëri shumë të ulët.

-“Tani lirisht mund të them se kemi trup votues në depresion, të cilit i nevojitet provokim, ta tërhiqni, të dalë të votojë dhe të vendosë për zgjedhjen e tij në 4 vitet e ardhshme”, tha Angellka Peeva.

Ekspertët theksuan se njerëzit janë në depresion dhe pikërisht kjo do të ndikojë mbi procesin zgjedhor. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 15 korrik, pasi paraprakisht ishin shtyrë për shkak të koronavirusit dhe shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.