Bashkimi Europian do të pezullojë marrëveshjen ekzistuese tregtare me Izraelin, pasi nuk pajtohet me situatën e papranueshme ku e ka çuar popullatën palestineze lufta gati dyvjeçare në Lindjen e Mesme.
Presidentja e Komisionit Europian mbajti të mërkurën deklaratën e saj të përvitshme për gjendjen e Unionit, duke u shprehur mjaft kritike me Tel-Avivin dhe pamjet tronditëse që vijnë nga Gaza.
“Njerëz që vriten duke u lutur për bukë, nëna që mbajnë në duar foshnja të pajeta. Këto imazhet janë thjesht katastrofike. Dua të dërgoj një mesazh të qartë: zia e bukës e krijuar nga njeriu nuk mund të përdoret kurrë si një armë lufte për hir të fëmijëve, për hir të njerëzimit. Kjo duhet të ndalë!” deklaroi presidentja e KE-së, ndërsa përsëriti se zgjidhja me dy shtete, Izrael dhe Palestinë më vete, do të ishte më e mira.
Ajo paralajmëroi sanksione për individët ekstremistë të Bregut Perëndimor që këmbëngulin për tokat e tyre, si edhe pezullimin e tregtisë me Izraelin sipas Marrëveshjes BE-Izrael. Ky propozim i Komisionit, gjithsesi, duhet të marrë shumicën e votave të 27 shteteve anëtare, ndërkohë që Gjermania dhe Italia nuk janë deklaruar a do të ndryshojnë qëndrim për këtë çështje.
Duke u ndalur te rreziqet që kërcënojnë Europën, Von der Leyen tha se kontinenti duhet të gjejë vetë vendin që i takon në një botë ku fuqitë e mëdha tregohen armiqësore ndaj BE-së. “Një Bashkim më i madh dhe më i fortë do të ishte një garancie sigurie për ne të gjithë,” deklaroi presidentja, ndërsa për sa i përket zgjerimit shtoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë është “brenda Bashkimit [Europian]”.
“Duhet të vijë një moment pavarësie për Europën. Ky është misioni i unionit tonë: të kujdesemi vetë për mbrojtjen dhe sigurinë tonë, të kontrollojmë teknologjitë dhe energjitë që furnizojnë ekonomitë tona, të vendosim në cilat shoqëri dhe demokraci duam të jetojmë, të hapemi ndaj botës dhe të zgjedhim partneritetet me aleatë të vjetër e të rinj,” deklaroi znj. Von der Leyen.
Presidentja kujtoi se me reagimin për pandeminë e kovidit dhe me mbështetjen për Ukrainën, BE-ja ka treguar se arrin rezultate.
“Pyetja kryesore që ngremë sot është e thjeshtë: a i kemi ne guximin për të luftuar? A e kemi ne sensin e unitetit dhe urgjencës, vullnetin politik dhe aftësinë politike për të bërë kompromis, apo do të zgjedhim se me kë të luftojmë mes nesh dhe të paralizohemi nga ndasitë tona?” pyeti presidentja e KE-së.
Ajo theksoi se duhet rritur presioni te Rusia për sa i përket luftës me Ukrainën.
“Mesazhi i Putinit është i qartë dhe reagimi ynë duhet të jetë gjithashtu i qartë. Duhet të rritim presionin mbi Rusinë për të ardhur në tryezën e negocimit. Na duhen më shumë sanksione.“