Në samitin e jashtëzakonshëm të BE-së i cili mbaroi pak pas mesnate u caktuan sanksione ndaj Rusisë pas sulmit ushtarak ndaj Ukrainës. Liderët e BE-së e caktuan pakon sanksionesh të cilat kryesisht kanë të bëjnë me 5 sektorë edhe atë: sektorin financiar, energjetik, sektorin e transportit, tregtisë dhe politikës së vizave. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Llajen, tha se Putini e ka rikthyer luftën në Evropë, kurse sanksionet e miratuara i quajti “më të ashpra” në histori.
“Së pari, kjo pako përfshin sanksione financiare me të cilat ndërpriten qasjet ruse deri në tregjet më të rëndësishme dhe më të mëdha. Në shënjestër janë 70% e tregjeve bankare ruse, por edhe kompanive kyçe shtetërore. Target është edhe elita ruse, me çka do të kufizohen depozitat e tyre dhe në këtë mënyrë ata nuk do të mund t’i fshehin paratë e tyre në Evropë“, pohoi Ursula von Der Lajen, kryetare e Komisionit Evropian.
Megjithatë Ukraina është e pakënaqur me këtë pjesë, sepse, siç thotë, liderët evropianë nuk e panë të arsyeshme t’i vendosin edhe sanksionet më të dëmshme për Rusinë – ta largojnë nga sistemi ndërkombëtar i pagesave – “SWIFT”. Sa u takon sanksioneve të tjera, ndalohet që kompanive ajrore ruse t’u shiten avionë dhe pajisje të tjera. Pastaj, kufizohet edhe qasja e Rusisë deri në teknologjitë kyçe, kurse pakoja e pestë e sanksioneve ka të bëjë me vizat.
“Shtylla e dytë që është në shënjestrën tonë është sektori energjetik, sfera kyçe ekonomike të cilën e shfrytëzon shteti rus. Ndalesa jonë për eksport do ta godisë sektorin e naftës me çka do ta pengojë Rusinë që t’i furnizojë rafineritë e saj. Diplomatët dhe aferistët tashmë nuk do të kenë qasje të privilegjuar deri te BE-ja“, tha Ursula von Der Lajen, kryetare e Komisionit Evropian.
Dje edhe qeveria e RMV-së publikoi se u bashkëngjitet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Ministrja e mbrojtjes Sllavjanka Petrovska për TV21 tha se kjo është mënyra me të cilën e shprehim mospajtimin tonë në lidhje me sulmin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Republika e Maqedonisë së Veriut i bashkëngjit BE-së për shkak se mendojmë se kjo paraqet shprehje e vullnetit politik të shtetit tonë me qëllim që të tregojmë mospajtim për shkeljen brutale të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut në Republikën e Ukrainës, por edhe të qytetarëve të atij shteti”, tha Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes.
Këtë pasdite u mbajt seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së ku janë caktuar sanksionet ndaj Rusisë.
