Volkswageni bie edhe më tutje pas Teslas në garën për vetura elektrike

TË FUNDIT

Volkswageni ka rënë edhe më tej pas Tesla-s në garën për të dominuar tregun e makinave elektrike.

Prodhuesi më i madh i makinave në Evropë ka bërë të ditur se u dorëzoi klientëve 452,900 makina elektrike me bateri në vitin 2021, gati dyfishi i totalit të tij nga viti i kaluar. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të mbajtur ritmin me Teslan, e cila dorëzoi mbi 936,000 automjete në vitin 2021.

Në total, Tesla (TSLA) rriti dërgesat e saj vitin e kaluar me afërsisht 436,600 krahasuar me një rritje prej 220,900 për Grupin Volkswagen (VLKAF), i cili zotëron marka si Audi, Porsche dhe Skoda.

Kompania gjermane është zotuar të shpenzojë më shumë se 100 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme, për të elektrizuar flotën e saj dhe për të ngritur një sfidë për Teslan. Volkswagen është tashmë shitësi kryesor i makinave elektrike në Evropë, dhe pret që 25% e automjeteve që shet globalisht të jenë elektrike deri në vitin 2026.

Ajo ka filluar të nxjerrë një seri modelesh të reja, duke përfshirë SUV-in elektrik ID.4, por progresi vitin e kaluar u pengua nga problemet e zinxhirit të furnizimit, tha Volkswagen Group.

“2021 ishte shumë sfidues për shkak të mungesës globale të gjysmëpërçuesve, por ne megjithatë zbatuam vazhdimisht kursin tonë të qartë të së ardhmes”, ka thënë shefi i shitjeve Christian Dahlheim në një deklaratë.

“Dyfishimi i vëllimeve tona të baterive elektrike dhe kërkesa e lartë për të gjitha automjetet tona tregojnë qartë se jemi në rrugën e duhur”, përfundon deklarata.

Tesla kishte problemet e veta me mungesën e çipave gjatë vitit, por ishte në gjendje t’i menaxhonte ato. Kompania e Elon Musk postoi dërgesa rekord në tre muajt e fundit të vitit 2021 me 308,600 automjete, duke tejkaluar lehtësisht vlerësimet e Wall Street.

Tesla ka parashikuar që me fabrikat e reja pranë Austin, Teksas dhe Berlin që fillojnë prodhimin në shkallë të plotë në vitin 2022, ajo duhet të ketë rritje vjetore të shitjeve globale prej 50% ose më mirë për të paktën disa vitet e ardhshme.

MARKETING I PAGUAR POLITIK