“VMRO-DPMNE-së po i ndalen çezmat e korrupsionit”, Grubi i kundërpërgjigjet opozitës për akuzat për pasurinë

TË FUNDIT

VMRO-DPMNE-së nuk do t’i mbetet hapur asnjë çezmë nga e cila i rrjedhin paratë e korrupsionit, tha mbrëmë në ClickPlus zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, i cili ditëve të fundit ka qenë në shënjestër të akuzave opozitare të cilët thonë se vëllai i tij ka blerë dyqan në qendër të Shkupit me çmim shumë më të vogël se sa vlera reale. Zëvendëskryeministri pohon se nga viti 2003 i ka ndarë pronat familjare dhe se nuk ka pronë të përbashkët me vëllain.

 “Asnjë pikë të përbashkët nuk kam, as të biznesit, as të hyrave, as të dalave, as familjare, jetoj vetëm me familjen time, prej vitit 2003 e këndej dhe nuk kam se çfarë të justifikohem për askënd tjetër…

-…po ju them për çfarë po ju akuzon VMRO-ja, çfarë janë ato çezma, a ma shpjegoni se çfarë janë, se ka edhe vendbanime në MV që nuk kanë ujë për pije…

-Çezmat janë burimet e korrupsionit dhe këtë e kemi nisur që ta bëjmë, që tua ndalim atyre të gjitha.

-E çfarë është burim i korrupsionit? Çfarë quani burim i korrupsionit? Kompani, tender, drejtori?

-Janë vendime institucionale të cilat i kanë sjellë ata dhe kanë krijuar monopole, kanë krijuar kontrata dhe obligime shtetërore 15-20 vjeçare nga të cilat ata vazhdojnë të bashkëpunojnë me ato monopole që i kanë krijuar”, tha Artan Grubi, zëvendëskryeministër i parë.

Opozitarja VMRO-DPMNE edhe sot vazhdoi me akuzat ndaj Grubit, duke thënë se një anëtar i familjes Grubi ka përfituar pasuri të konsiderueshme e cila përveç se është blerë me një çmim joreal, por edhe me fonde që tejkalojnë të ardhurat e vëllezërve Grubi.

 “Prokuroria është e detyruar që të reagojë dhe të mos presë që të kalojë zemërimi e opinionit sepse këtu ka indice për fshehje të origjinës së pasurisë sipas nenit 359a të KP me sanksion të përcaktuar qartë. Antikorrupsioni të inicojë procedurë për shqyrtimin e origjinës së pasurisë dhe parave të vëllait të Grubit, e cila parashihet me nenin 96 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit“, theksoi Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

Opozita u bëri thirrje institucioneve që të mos i nënshtrohen presionit të zëvendëskryeministrit Grubi.