VMRO-DPMNE shpalosi edhe grupin e dytë të kandidatëve për kryetarë komunash. Emrat e tyre i kumtoi nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Vllado Misjallovski. Ai që bie në sy është aktori Toni Mihajlovski, i cili do të kandidojë për Kumanovën. Misjallovski tha se kandidatët e ri janë të pastër nga krimi e korrupsioni, ndërsa janë të gatshëm që të sjellin zhvillim në komunat e Maqedonisë së Veriut.
“Karakteristika kryesore është se pjesa më e madhe e kandidatëve janë të ri, emra të ri dhe të pa komprometuar, të cilët do të sjellin energji të re, entuziazëm për më shumë punë dhe më shumë suksese në zhvillimin e komunave. Qëllimi jonë është të shkojmë në fitore, të zgjidhin problemet dhe të sjellim zhvillim në vend”, tha Vllado Misajllovski nga VMRO-DPMNE.
LSDM kandidatët e opozitares VMRO-DPMNE i sheh si emra që kanë qenë në poste dhe funksione në kohën e regjimit të Nikolla Gruevskit, dhe se nuk janë emra të ri siç i prezanton VMRO-DPMNE.
“Hristijan Mickoski edhe njëherë dëshmoi se nuk beson në kandidatët dhe pikërisht për këtë nuk u paraqit në konferencën për shtyp të VMRO-DPMNE-së që t’i shpalle emrat e tyre. Atë që e dëgjuam, pjesën më të madhe përsëri janë emra të cilët kanë pasur funksione lokale dhe shtetërore në kohën e regjimit, pra në kohën e Nikolla Gruevskit”, u shpreh Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Ndërsa mospasjen e emrit të kandidatit për të parin e Qytetit të Shkupit nga ana e VMRO-DPMNE-së, LSDM e sheh si mungesë të besimit të qytetarëve ndaj kësaj partie.
