VMRO-DPMNE pohon se ka “mafia 2”! Mickoski: Mbi 20 mijë persona kanë nga dy numra amë

TË FUNDIT

VMRO-DPMNE pohon se e ka pjesë të dytë të aferës Mafia, përkatësisht se rreth 20 mijë qytetarë kanë dy numra amë, ndërsa kjo është bërë me ndryshimin e tre numrave të fundit.

Kryetari i partisë, Hristijan Mickoski, në brifing me gazetarët, tha se këta persona janë në Listën zgjedhore në më shumë se një vendvotim. Theksoi se me skandalin Mafia 2 zbulohet se si një individi i janë dhënë dy numra amë, ku sipas kontrollit në Listën zgjedhore, personi i njëjtë një herë është i regjistruar me emrin dhe adresën e vërtetë, ndërsa herën e dytë është i regjistruar si person tjetër në komunë tjetër.

Edhe këtu  u përmend emri i anëtarit të mafias turke, Sedat Peker. Xheladin Ademovski, personi për të cilin pohohej se është identiteti i rrejshëm i Peker, në mënyrë praktike ka dy numra amë. Në njërin identitet adresa është Çair, ndërsa në tjetrin Xheladin Ademovski është nga Saraji.  Që të dy numrat amë janë të njëjtë në 10 numrat e parë, ndërsa janë ndryshuar vetëm 3 numrat e fundit.

MPB në lidhje me brifingun me gazetarët të kryetarit të VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, informon opinion se kjo gjë ka filluar që në vitin 1981 dhe se pas zbulimit të kësaj menjëherë është vepruar për anulimin e këtyre numrave amë dhe kjo procedurë tashmë një kohë të gjatë po zhvillohet, ndërsa pjesa më e madhe e numrave amë janë anuluar.