MRO-DPMNE nuk do të marrë pjesë në takimin e liderëve nëse iniciatori i saj është Presidenti, Stevo Pendarovski, kumtoi sot lideri i partisë, Hristijan Mickoski.
Mickoski në konferencë për shtyp, e riaktualizoi nevojën për mbajtjen urgjete të takimit të liderëve në të cilin do të bisedohej, siç tha ai, për situatën aktuale politike, shëndetësore, arsimore dhe ekonomike. Ai nuk specifikon se me çfarë kërkesash do të dalë VMRO-DPMNE, as se cili do të jetë pozicioni i saj nëse eventualisht ulet në të njëjtën tryezë me përfaqësuesit e partive në pushtet.
“Nuk e shoh rolin e Stevo Pendarovskit në këtë takim të liderëve. Stevo Pendarovski nuk është lider i një partie politike. Nëse nevojitet mbështetja e partive politike, që ne partitë politike të bisedojmë për diçka, atëherë dihet që partitë politike duhet të ulen dhe të flasin. Dihet se kush duhet ta thërrasë atë takim liderësh. Ne e kemi kërkuar atë takim disa herë deri më tani. Nëse vlerëson se duhet të ulen politikanët të bisedojnë në atë takim liderësh, unë jam në dispozicionin tuaj. Por, në një format që do të organizohej nga Stevo Penadrovski, unë nuk do të marr pjesë në takim të tillë sepse nuk e shoh rolin e Stevo Penadrovskit në një takim të tillë liderësh”, tha Mickoski, duke shtuar se ai do të marrë pjesë në takimin e liderëve nëse iniciativa vjen nga Qeveria.
I pyetur se me cilat kërkesa VMRO-DPMNE do të merrte pjesë në takimin e liderëve, Mickoski u përgjigj se së pari duhet të realizohet takimi i liderëve, për të parë se cili do të ishte rendi i ditës dhe bazuar në atë që të dilnin me qëndrimin e tyre.
Duke vlerësuar punën e Qeverisë në 100 ditët e kaluara si një fiasko të vërtetë, Mickoski e porositi Kryeministrin Zaev se mjaft është dhe se ai duhet të largohej.
“E porosisim, mjaftë është. Zaev duhet të largohet, që Maqedonia të vazhdojë të ecë përpara. Përgjegjësi të barabartë kanë edhe partitë qeverisëse parlamentare, vazhdoni të veproni në mënyrë të pavarur. Për sa kohë që Zaev është kryeministër, identiteti është nën kërcënim, ashtu si e ardhmja e Maqedonisë. E ardhmja jonë evropiane është larg, Vllado Buçkovski ose Zaev nuk mund të jenë e ardhmja, njëri është i dënuar për krim, ndërsa tjetri i amnistuar”, tha Mickoski.
