Të dielën do të takohen partnerët e koalicionit qeveritar, konfirmon kryeministri dhe kreu i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, i cili pret që në këtë takim të riaformohet qëndrimi për mbajtjen e zgjedhjeve në vitin 2024 bashkë me zgjedhjet presidenciale. I pyetur nëse në takim do të flitet për qëndrimin e vendit ndaj Bullgarisë nëse nuk marrim datë, kreu i ekzekutivit tha se çdokush mund të thotë mendimin e tij, por qëllimi i takimit është që të bëhet përmbledhje e krejt asaj që është bërë për përballje me krizën gjatë kësaj qeverisjeje dhe ato që mund të ndërmerren në të ardhmen.
“Qytetarët do të binden se ka shumicë parlamentare dhe Qeveri që kujdeset për standardin jetësor dhe për sigurimin e gjithë asaj që një qeveri duhet ta sigurojë në kushte të krizës më të madhe pas LDB, që është ndryshe nga ajo që e kemi nga opozita, sepse tek opozita shohim vetëm destruksion, bllokim, bojkot dhe çka është edhe më keq, në opozitë ka parti politike që janë hapur kundër anëtarësimit tonë në BE dhe NATO dhe që shkojnë hapur në takime në Moskë në një kohë kur e gjithë Evropa së bashku me SHBA-në luftojnë për të ruajtur demokracinë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
E nëse në ditën e fundit të javës Kovaçevski pret rikonfirmimin e qëndrueshmërisë së koalicionit, një ditë para këtij takimi, opozitarja VMRO-DPMNE do vërshojë rrugët me protestën e paralajmëruar tashmë gjatë kohë, kundër, siç vlerësojnë thellimit të krizës nga keqqeverisja.
“Sot VMRO-DPMNE kthehet në rrugë të qëndrueshme dhe ngadhënjimtare. Ngritet sërish bashkë me popullin, kur shteti përballet me sfida, goditje, nënçmim, varfëri dhe përkulje. VMRO-DPMNE në mënyrë të kuptueshme është flamuri që bashkon dhe kjo është detyra që unë e pranoj me nder e me gjithë zemër. Nëse dikush pyet pse, sepse VMRO-DPMNE dhe unë nuk do të heshtim kur populli vuan, kur ndjen pasiguri, mëri dhe vuan nënçmimin”, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Këto kreu Mickoski i tha në video fjalimin për 129 vjetorin e VMRO-së dhe 32 vjetorin e VMRO-DPMNE-së.
