VMRO-DPMNE shpalli edhe 10 kandidatë të tjerë për kryetarë komunash. Ndër këto 10 emra, më së shumti bie në sy emri i kryetarit për Komunën e Kavadarit, Mitko Jançev. Ai ishte njëri prej anëtarëve të pakënaqur të VMRO-DPMNE-së, që kishin kërkuar dorëheqjen e liderit të tyre Hristijan Mickoski, për shkak të humbjeve në zgjedhje.
“VMRO-DPMNE është parti e madhe dhe ndodh që të ketë qëndrime të ndryshme në çështje të caktuara, pa dallim nëse janë çështje kombëtare ose lokale. Sa i përket z. Mitko Jançev, qytetarët e Kavadarit vendosin për Kavadarin dhe shumica e tyre mendojnë se ai është kryetar komune i mirë dhe i njëjti duhet të vazhdoje. Ne në VMRO-DPMNE mendojmë se është koha për bashkim me të gjithë ata që mendojnë se shteti po lëviz në drejtim të gabuar”, tha Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
Opozitares maqedonase i kanë mbetur diku edhe 10 komuna pa përcaktuar emrat e kandidatëve me të cilët do të garojnë, e në mesin e tyre janë Aerodromi, Karposhi e Manastiri. Ndërsa ASh-AAA ende nuk i kanë përfunduar përzgjedhjet për kryetarë komunash, ndërsa deri tani vetëm në 7 komuna kanë emra të konfirmuar, edhe atë në:
Aleanca për Shqiptarët- Alternativa
Gostivar – Arben Taravari
Haraçinë – Naim Sinani
Tearcë – Nazim Taipi
Zhelinë – Mahir Ziberi
Dibër – Bekim Pocesta
Strugë – Idro Istrefi
Bogovinë – Sadik Sulejmani
Për Çairin jozyrtarisht do të garojë Bekim Sali, për Vrapçishtin, Isen Shabani, ndërsa për Tetovën është përfolur mjeku Ilir Demiri e për Kërçovën ende nuk ka emër zyrtar.
Më 11 shtator është afati i fundit për dorëzimin e emrave nga partitë politike deri në KSHZ, ndërsa sonte në mesnatë skadon afati për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatura të pavarura për kryetarë të komunave dhe këshilltarë për zgjedhjet lokale të caktuara më 17 tetor.
