Zyrtarë shtetërorë, kryetar komisionesh, drejtor e udhëheqës të institucioneve fshehin pasuri në vlerë prej 30 milionë eurove, akuzojnë nga VMRO-DPMNE. Thonë se bëhet fjalë për zyrtarë të LSDM-së dhe BDI-së, të cilët sipas deputetit Brane Petrushevski, fshehin shtëpi, banesa, vikend shtëpiza, lokale afariste dhe nuk i kanë askund të paraqitura.
“Afera e re “ Pasuri te fshehura” është edhe një tregues se si qeveria funksionon jashtë ligjeve, duke i mbrojtur shkelësit e ligjit e të cilët në këtë rast janë zyrtarë të emëruar dhe të zgjedhur, obligimi i të cilëve është t’i shërbejnë qytetarëve të Maqedonisë. Me LSD në qeveri këto zyrtarë padyshim që i shërbejnë vetëm partisë së tyre dhe njeriut që i emëron nëpërmjet seancave në qeveri. Këto pasuri janë të fshehta dhe nuk janë të evidentuara nga Komisioni shtetërorë për parandalim të korrupsionit”- deklaroi Brane Petrushevski, deputet I VMRO-DPMNE-së.
Sipas VMRO-DPMNE-së bëhet fjalë për fshehje të qëllimshme të pasurisë, pasi që sipas tyre prona është fituar në mënyrë joligjore dhe kriminale. Është dhënë afat prej 24 orëve që vetë institucionet t’i publikojnë emrat, në të kundërtën ata nesër do t’i shpalosin emër e mbiemër dhe çfarë pasurie fshehin.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i LSDM-së. Thonë se “pallati i bardhë” i VMRO-DPMNE-së është sinonim për krim. Bëjnë thirrje që nëse VMRO-DPMNE ka informacione për funksionarë që nuk kanë paraqitur pronë dhe kanë kryer ndonjë shkelje ta paraqesin rastin në Komisionin antikorrupsion.
“Me aktvendim gjyqësor për Talir 2 u dëshmua se Pallati i bardhë me vlerë prej rreth 7 milionë eurove është jo ligjor, i marrë në mënyrë kriminele, mbi shpinën e qytetarëve, me para të vjedhura prej qytetarëve. Kur flasim për prona, VMRO-DPMNE le të shohë në oborrin e saj. Me cilën pronë të paraqitur dhe në çfarë mënyrë Nikolla Gruevski jeton në Budapest?”- thanë nga LSDM.
Në aferë që ka hulumtuar VMRO-DPMNE nuk janë të përfshirë deputet e as ministra aktual. Sipas dispozitave ligjore, dënimi nëse një zyrtarë nuk paraqet pronën dhe pasurinë që posedon është 300 euro.
